Pse është e rëndësishme një portfolio profesionale?

Ekipi i Busullës

243 artikuj

Portfolio

    Një portfolio është një dosje e të dhënave që pasqyron arritjet, shkathtësitë, përvojat dhe atributet tuaja. Përveç prezantimit të këtyre aftësive, portfolio gjithashtu tregon se si këto aftësi kontribuojnë në skenarë të ndryshëm real dhe se si kjo do të ndihmonte kompaninë apo shkollën që po aplikoni. Informacioni i cili përfshihet në portfolio jo vetëm bënë prezantimin tuaj te korporatat, punëdhënësi apo kolegjet mirëpo, është edhe pikë përmbledhëse e të gjitha punimeve tuaja.

    Duhet pasur parasysh që portfolio nuk është CV. Portfolio e plotëson CV-në me informata më personale.

Pse keni nevojë për një portfolio?

  • Mund të bëjë dallimin mes juve dhe një kandidati tjetër për vendin e lirë të punës apo për ngritje në detyrë;
  • Ju mundëson të jeni më kreativ në plotësimin e dokumentacionit kur aplikoni për punë apo universitet;
  • Ju mundëson të njihni vetën më mirë dhe të gjitha arritjet e juaja;
  • Është mënyrë e mirë e grumbullimit të dokumentacionit nga punët e mëhershme.

    Duke krijuar një portfolio profesionale, ju do t'i ofroni kompanisë edhe më shumë informata dhe shembuj specifik të punës tuaj. Një portfolio mbresëlënëse shpesh mund të tërheq vëmendjen e punëdhënësve e që është qëllimi juaj kur aplikoni për një praktikë ose punë.

Më poshtë mund të gjeni disa këshilla të dobishme se si të krijoni një portfolio profesionale:

  • Mblidhni shembuj të punës tuaj

    Krijimi i një portfolio profesionale fillon duke mbledhur dokumente të punës tuaj të mëhershme. Këto materiale mund të përfshijnë vlerësime, raporte, sondazhe, materiale specifike që keni hartuar për një kurs, kolegj ose punëdhënës të mëparshëm, njoftime për shtyp, vepra arti, ueb faqe, etj., të cilat ju i keni krijuar për punë të mëhershme apo për shkollim.

    Nëse jeni duke përfunduar një praktikë, sigurohuni që të përfshini disa prej punëve që po bëni tani. Informacioni që mblidhni për të përfshirë në portfolion tuaj, varet kryesisht nga lloji i punës që kërkoni të aplikoni. Nëse jeni të interesuar për dizajn grafik apo art, portfolio juaj duhet të jetë i bashkuar me shembuj specifik të punës tuaj artistike.

  • Përfshini fotot e punës tuaj

    Përfshirja e fotografive gjatë punës në projekte specifike akademike, në punët e mëparshme ose në punë vullnetare do të ndihmojnë punëdhënësin të ju shohë në veprim. Prandaj, nëse jeni duke përfunduar një praktikë ose punë vullnetare për një kompani, sigurohuni që të merrni disa foto për të pasuruar portfolion tuaj.

  • Përfshirja e informacionit rreth kompanive prestigjioze dhe të suksesshme me të cilat keni punuar

    Nëse keni punuar më parë për kompani prestigjioze dhe të suksesshme, sigurohuni që të përfshini informacione rreth tyre si: produkte të reja, raporte vjetore, broshura, njoftime për shtyp dhe buletine në të cilat ju keni dhënë kontribut.

  • Përfshini çdo vlerësim që keni marrë në të kaluarën

    Çdo vlerësim që keni marrë në të kaluarën nga mësuesit, profesorët, punëdhënësit e mëparshëm që përshkruajnë punën tuaj dhe profesionalizmin, duhet patjetër të përfshihen si pjesë e portfolios tuaj. Profesionistët që komentojnë kontributin tuaj në çdo projekt mund të kenë një ndikim pozitiv te çdo punëdhënës.

    Sigurohuni që të përfshini një shembull të veprës tuaj më të dalluar (artikull hulumtues, vepër arti, plan mësimor), etj., në mënyrë që ata të mund ta shohin dhe ta vlerësojnë atë për vete. Është e kuptueshme që studentët nganjëherë mendojnë se kjo mund të jetë e papërshtatshme, por duhet pasur parasysh që nëse nuk i përmendni përvojat tuaja të suksesshme askush nuk do të dijë për arritjet e juaja.

  • Tregoni aftësitë tuaja

    Nëse fusha e ekspertizës përfshinë teknologjinë kompjuterike, shkrimin, etj., ku mund të demonstrosh aftësitë tuaja nëpërmjet punës që keni përfunduar në internet, sigurohuni që të përfshini adresat përkatëse për të shfaqur punën që keni bërë. Disa studentë apo kandidatë zgjedhin të bashkëngjisin një DVD ose CD me punën e tyre që punëdhënësi ta ketë më të lehtë qasjen në ato dokumente.

  • Organizoni dokumentet në mënyrë të saktë

    E fundit por jo më pak e rëndësishme, ju doni që portfolio juaj të duket profesional. Organizimi i dokumenteve në mënyrë të qartë do të lejojë që punëdhënësi të dijë se sa jeni serioz në lidhje me këtë punë. Sigurohuni që gjithmonë të mbani kopjet e punës tuaj dhe sigurohuni që të bëni përditësimin e portfolios, në mënyrë që disa nga shembujt e punës tuaj të jenë të kohëve të fundit, të cilat gjithashtu mund të ilustrojnë rritjen që keni bërë gjatë viteve.  E rëndësishme është që këtë ta vazhdoni ta bëni edhe pasi të keni fituar vendin e punës.

Referencat:

https://www.themuse.com/advice/why-you-yes-you-need-a-professional-portfolio

https://www.forbes.com/forbes/welcome/?toURL=https://www.forbes.com/sites/forbescoachescouncil/2017/10/19/nine-advantages-of-developing-your-own-professional-portfolio/&refURL=https://www.google.com/&referrer=https://www.google.com/

https://www.roberthalf.com/blog/writing-a-resume/how-to-put-together-your-first-professional-portfolio

Ndrysho fjalëkalimin

Password c1c080deb443f2949c8d26a914258320a0d5d8d215495b0a334288ca10721db0

Ju lutem, ndërroni fjalëkalimin për të qenë
Busulla juaj më e sigurtë.

Fjalekalimi nuk pershtatet