Vendosja e qëllimeve

Ekipi i Busullës

243 artikuj

Qellim

    Secili prej nesh dëshiron të arrijë diçka në një moment të caktuar të jetës. Ne kemi shpresa dhe ëndrra për të ardhmen si dhe një dëshirë të zjarrtë për t’i realizuar qëllimet tona. Për t’i përmbushur këto qëllime, ju duhet të ndiqni disa hapa.

    Fillimisht, duhet të mblidhni informata për interesat, shkathtësitë dhe punën potenciale që ëndërroni ta bëni. Periudha gjatë shkollës së mesme dhe fakultetit ju ndihmon që të rrisni vetëdijen tuaj për botën e punës. Gjatë kësaj kohe, mund të bëni punë vullnetare, punë praktike dhe të merrni informacione nga të afërmit tuaj për punë të ndryshme. Ky eksplorim ju plotëson njohuritë e juaja dhe ju jep një ide se si interesat e juaja e formësojnë punën dhe të ardhmen tuaj. 

    Qëllimi është një gjë që dëshironi ta arrini apo ta përmbushni: p.sh. të mësoni të vozisni një veturë, të merrni diplomën e fakultetit, të zgjidheni kryetar i këshillit studentor etj. Qëllimi gjithashtu ka të bëjë me përjetimin e diçka që ëndërroni: të udhëtoni në Amerikë apo të skijoni diku. Disa qëllime mund të jenë personale, p.sh. të lexoni një libër, të kaloni kohë me vëllain tuaj etj., të tjerat mund të jenë akademike, p.sh. të pranoheni në një fakultet të caktuar. Po ashtu, qëllimet mund të jenë të ndërlidhura edhe me punën. Pasi që në jetë ka edhe gjëra të tjera përveç shkollës apo punës, qëllimet e tuaja mund të jenë në lidhje me çfarëdo marrëdhënie personale, eksperienca edukative apo thjeshtë në lidhje më kënaqësinë.

Si na ndihmojnë qëllimet?

  • Na ndihmojnë t'i emërtojmë dhe të flasim për gjërat që me të vërtetë i duam;
  • Na ndihmojnë ta definojmë se çfarë është më e rëndësishme për kohën tonë dhe se si të kalojmë kohën për të arritur një qëllim të caktuar;
  • Na ndihmojnë të qëndrojmë të motivuar.

    Me vendosjen e qëllimeve gjërat bëhen më konkrete. Një qëllim mbetet vetëm një ide, nëse nuk përpiqeni që të arrini atë. Kur arrini qëllimet e juaja, do të ndiheni krenar me vetën. 

Zgjedhja e një qëllimi

Kur mendoni për qëllime, pyeteni vetën:

  • Çfarë është e rëndësishme për mua?
  • Si dua ta kaloj kohën time?

Sigurisht që këto nuk janë pyetje të lehta për t’iu përgjigjur, por janë të rëndësishme për t’i menduar. Disa prej qëllimeve tuaja mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, gjersa të tjerat bëhen më të qarta. Kurdo që arrini një qëllim, vendosni një sfidë të re vetes.

Vendosja e qëllimeve

  • Merrni një letër A4 dhe ndani në tri kolona horizontale.
  • Titulloni kolonën e parë “Çfarë shpresoj të bëj në jetën time?
  • Titulloni kolonën e dytë: “Çfarë shpresoj të bëj brenda tri viteve të ardhshme?”
  • Titulloni kolonën e tretë: “Nëse nuk do të jetoja pas gjashtë muajve, si do doja të kaloja kohën time?”
  • Ndani dy minuta për secilën pyetje dhe filloni të përgjigjeni. Filloni me cilëndo kolonë dhe shkruani çfarëdo që ju bie në mend.
  • Lexoni përgjigjet tuaja. Çfarë mendimi keni për gjërat që keni shkruar? A jeni të befasuar? Cila kolonë ju është dukur më e vështirë për të ju përgjigjur?
  • Shikojeni pyetjen e fundit. Cilat aktivitete i keni renditur? Gjërat që përzgjedhim kur kemi pak kohë të jetojmë, janë gjërat që kanë më së shumti vlerë për ne. A tregon përgjigja juaj se cilat janë gjërat më të vlefshme për ju?

    Tani që keni fituar një perspektivë të re, rishikoni listën për të pasqyruar qëllimet tuaja aktuale, si ato personale ashtu edhe ato që lidhen me shkollën ose planifikimin e karrierës.

    Vetëm duke menduar për gjërat që doni të bëni në jetën tuaj, mund të stimuloni ide të tjera gjatë ditëve të ardhshme. Shtoni këto ide në kolonën e duhur, varësisht afatit kohor të qëllimit. Kur lista juaj është e plotë, caktoni prioritetin në mënyrë që gjërat e para në listën tuaj të jenë ato më të rëndësishmet për ju.

Mënyra më e mirë për të vendosur qëllimet është sipas dizajnit ‘’SMART”. SMART nënkupton:

  • Specific- Specifike
  • Measurable- Të matshme
  • Attainable- Të arritshme
  • Relevant- Relevante
  • Time Bound- Me kufizim kohor


  • Vendosni qëllime specifike

    Qëllimet duhet të jenë të qarta dhe mirë të definuara. Prandaj, hapi i parë që duhet të bëni është të jeni sa më specifik për atë që synoni të arrini.

  • Vendosni qëllime të matshme

    Përfshini datat e sakta dhe vlerat që doni t’i arrini. Ju duhet të siguroheni që qëllimet e juaja të jenë të matshme, pasi që kjo ndihmon në ndjekjen e procesit të arritjes të këtyre qëllimeve.

  • Vendosni qëllime të arritshme

    Sigurohuni që qëllimet e juaja të jenë të arritshme. Nëse vendosni një qëllim që nuk mund ta arrini, do ta demoralizoni veten tuaj. Qëllimet me objektiva të mëdha mund t’i ndani në hapa më të vegjël. Në këtë mënyrë edhe motivoheni sa herë që kaloni një hap, si dhe jeni më afër qëllimit. Qëllimet më të mira janë ato të arritshme, por gjithsesi sfiduese.

  • Vendosni qëllime relevante

    Qëllimet duhet të jenë në linjë me karrierën dhe jetën që ju doni. Duke vendosur qëllime relevante ju do të zhvilloni fokusin që të keni sukses në atë që dëshironi.

  • Vendosni qëllime me afate kohore

    Qëllimet tuaja duhet të jenë të lidhura me kohë në mënyrë që të jenë të arritshme. Prandaj, zgjidh një datë aktuale në kalendar për realizimin e qëllimit tënd. Kur e përcaktoni datën, atëherë mund ta ndani qëllimin tuaj në afate javore e mujore. Kjo mënyrë ju ndihmon që të ndiqni ecurinë tuaj dhe të përcaktoni sa afër apo larg jeni për të arritur qëllimin.

    Nëse e vlerësoni progresin tuaj dhe e kuptoni se jeni duke u larguar shumë nga qëllimet tuaja, në vend që t'i afroheni atyre, mund të ri-përshtatni qasjen tuaj. Kjo ju jep një moment për të korrigjuar gjërat. Prandaj, është e rëndësishme të bëni vlerësimin në baza ditore sepse kështu arrini të vlerësoni progresin tuaj.

Referencat:

https://www.mindtools.com/pages/article/newHTE_90.htm

Fragmente nga libri: “What color is your parachute? For teens”, Caron Christen

Ndrysho fjalëkalimin

Password c1c080deb443f2949c8d26a914258320a0d5d8d215495b0a334288ca10721db0

Ju lutem, ndërroni fjalëkalimin për të qenë
Busulla juaj më e sigurtë.

Fjalekalimi nuk pershtatet