Çfarë është testi GMAT?

Ekipi i Busullës

153 artikuj

125 ndjekës

14. tests

    GMAT (Graduate Management Admission Test) është test për pranim në programet e menaxhmentit për studimet master dhe doktoraturë. Ai është test kompjuterik adaptiv (CAT) i kërkuar nga shumë shkolla të biznesit. Nëse dëshironi të pranoheni në një program studimi për drejtime të tilla si Master në Administrim Biznesi, rezultati juaj në testin GMAT është shumë i rëndësishëm.

    Një lloj i tillë i testit të standardizuar ndihmon universitetet dhe punëdhënësit të shohin se cilët kandidatë kanë shkathtësitë e nevojshme për të qenë të suksesshëm në programin apo punën e caktuar. Si i tillë, ky test është pikë referimi për krahasimin e kandidatëve që kanë përvoja të ngjashme akademike dhe profesionale. GMAT është test ndërkombëtar i cili gjen përdorim të gjërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadë dhe Britani të Madhe.

Formati i testit

   GMAT përbëhet nga katër seksione: vlerësimi analitik i shkrimit, argumentimi, puna me numra dhe argumentimi verbal. Testi është i planifikuar të zgjasë tre orë e shtatë minuta.

  • Vlerësimi analitik i shkrimit (AWA)

    AWA kërkon që kandidatët të lexojnë dhe kuptojnë një pjesë të shkurtër që paraqet një argument. Ata duhet ta vlerësojnë në mënyrë kritike këtë argument në një ese. Afati kohor është zakonisht 30 minuta. Ky seksion është dizajnuar për të vlerësuar aftësinë e mendimit kritik të një kandidati. Performanca në seksionin AWA nuk kontribuon në rezultatin e përgjithshëm të testit, mirëpo pikët e arritura përdorën nga universitetet për të vlerësuar kandidatët. Rrjedhimisht, rezultati i dobët në këtë seksion mund të dëmtojë aplikacionin e kandidatit.

  • Argumentimi apo arsyetimi

    Aftësia për të argumentuar është mjaft e zbatueshme për situatat që mund të krijohen në biznes. Kjo ngase udhëheqësve gjithnjë e më tepër iu kërkohet mbledhja e të dhënave, të kuptuarit, lidhja e këtyre të dhënave dhe marrja e vendimeve duke u bazuar në analizë. Ashtu si AWA, argumentimi nuk kontribuon në rezultatin e përgjithshëm të GMAT, megjithatë performanca e dobët në këtë seksion mund të dëmtojë aplikacionin tuaj.

    Ky seksion kërkon përgjigje në 12 pyetje brenda 30 minutash. Pyetjet paraqiten në katër mënyra: interpretimi i grafikës, analiza me dy pjesë, analiza e tabelave dhe arsyetimi me shumë burime. Për të qenë të suksesshëm, duhet të jeni në gjendje të kuptoni dhe analizoni informatat e paraqitura në një sërë formatesh.

  • Puna me numra

    Kjo pjesë e testit vlerëson aftësinë tuaj të të punuarit dhe kuptuarit të numrave. Kjo është një pjesë kyçe e testit dhe do të kontribuojë në rezultatin tuaj të GMAT. Ju do të vlerësoheni në bazë të aftësisë tuaj për të kuptuar dhe interpretuar të dhëna sasiore, për të analizuar dhe aplikuar informacionet e dhëna për zgjidhjen e problemeve dhe për të vlerësuar në mënyrë kritike mjaftueshmërinë e të dhënave.

    Ky seksion kërkon që ju të përgjigjeni në 37 pyetje brenda 75 minutave. Ekzistojnë dy lloje pyetjesh: zgjidhja e problemeve dhe mjaftueshmëria e të dhënave. Për të qenë të suksesshëm në këtë pjesë, ju nevojiten njohuri të algjebrës bazë, gjeometrisë, matematikës së aplikuar dhe interpretimit të të dhënave. Kalkulatorët nuk lejohen në këtë test. Është me rëndësi që udhëzimet të lexohen me kujdes dhe të kuptohen, në mënyrë që t’u përgjigjeni me saktësi problemeve të paraqitura.

  • Argumentimi verbal

    Ky seksion i testit vlerëson aftësinë tuaj për të lexuar, kuptuar dhe aplikuar materiale të shkruara. Ju do të duhet t'iu përgjigjeni 41 pyetjeve brenda 75 minutave. Ekzistojnë tri lloje pyetjesh: korrigjimi i fjalisë, arsyetimi kritik dhe të kuptuarit verbal.

    Për të qenë të suksesshëm, duhet të jeni në gjendje të mendoni në mënyrë kritike dhe t'i lexoni materialet në mënyrë analitike dhe vlerësuese. Ky seksion kontribuon në rezultatin tuaj GMAT.

Rezultatet e GMAT

    Rezultatet e testit përjashtojnë vlerësimin analitik të shkrimit dhe varijojnë nga 200 deri në 800 pikë. Ndarja e rezultateve paraqet një devijim standard prej 100 pikësh nga mesatarja. Rreth dy të tretat e kandidatëve shënojnë mes 400 dhe 600 pikë me një rezultat mesatar prej rreth 500 pikësh.

    Shumica e shkollave të biznesit publikojnë rezultatin mesatar të pranimit për t’i njoftuar kandidatët për pikët e nevojshme për pranim në institucionin përkatës.

Më poshtë mund t’i gjeni disa teste përgatitore për GMAT:

http://gmat.london.edu/ 

https://www.manhattanprep.com/gmat/free-gmat-practice-test/

Referencat:

https://www.mba.com/global

Ndrysho fjalëkalimin

Password c1c080deb443f2949c8d26a914258320a0d5d8d215495b0a334288ca10721db0

Ju lutem, ndërroni fjalëkalimin për të qenë
Busulla juaj më e sigurtë.

Fjalekalimi nuk pershtatet