Çfarë është testi Pisa?
177 artikuj
220 ndjekës
Postuar: 19 Nentor 2018

Programi për Vlerësim Ndërkombëtar të Nxënësve i njohur si PISA është projekt i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili mbahet çdo tri vite. PISA u organizua për herë të parë në vitin 2000 ku morën pjesë 43 shtete, ndërsa në vitin 2018 u mbajt cikli i shtatë i këtij testi, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues nga 80 shtete. PISA nuk analizon vetëm nëse nxënësit kanë mësuar atë që ju është ligjëruar, por gjithashtu vlerëson nëse studentët mund të përdorin në mënyrë kreative dhe kritike atë që dinë. Pra, ky studim mundëson krahasimin ndërkombëtar të vlerësimit të arritjes së studentëve, vlerëson dijen e lidhur me situata reale, ashtu si përgatitjen edhe aftësitë për pjesëmarrje në shoqëri. PISA ndihmon qeveritë të krijojnë politika efektive arsimore duke u bazuar në rezultatet e këtij studimi.
Nga secili shtet që merr pjesë në PISA përzgjidhet një moster reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që t'i nënshtrohen testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve. Kjo matje bëhet në tri disiplina/fusha: lexim, matematikë dhe shkenca të natyrës. Në secilin cikël të PISA-s, një nga fushat është në fokusin kryesor të vlerësimit, pra është “fusha kryesore”. Fushat kryesore sipas cikleve të studimit gjatë viteve kanë qenë si në vijim:
Cikli | Fusha kryesore |
PISA 2000 | Leximi |
PISA 2003 | Matematika |
PISA 2006 | Shkenca të natyrës |
PISA 2009 | Leximi |
PISA 2012 | Matematika |
PISA 2015 | Shkenca të natyrës |
PISA 2018 | Leximi |
Ky studim ka tri nivele të vlerësimit:
- Përmbajtja: kuptimi themelor i materialit;
- Progresi: mendime më komplekse, siç janë interpretimi dhe analiza;
- Konteksti: aplikimi i njohurive në situata të jetës reale.
Në vitin 2015 PISA është mbajtur për herë të gjashtë, ku vend pjesëmarrës ishte edhe Kosova në kuadër të 72 shteteve. Fusha kryesore atë vit ishte tek shkencat e natyrës. Këtij testi iu nënshkruan 5,161 nxënës nga 225 shkolla. Rezultatet e këtij testi u publikuan një vit më vonë. Nga 72 vende pjesëmarrëse, në fushën e leximit Kosova u radhit në vendin e fundit, ndërsa në Matematikë dhe Shkenca të Natyrës në vendin e 70. Edhe në vitin 2018, Kosova ka marrë pjesë në PISA me 5,370 studentë nga 211 shkolla. Rezultatet e këtij testi do të publikohen në dhjetor të vitit 2019.
Referencat:
http://www.oecd.org/pisa/aboutpisa/
http://www.erc.ie/studies/pisa/what-is-pisa/
http://www.moe.gov.bn/PISA%20Downloads/PISA_ENG_LATEST%20Brochure.pdf
https://sbunker.net/op-ed/88432/pisa-ndash-tronditja-dhe-pisa-ndash-kendellja/
Shkarko PDF