Roli i prindërve në orientimin në karrierë

Ekipi i Busullës

154 artikuj

157 ndjekës

Parents' role

Kur bëhet fjalë për fëmijët, prindërit kanë një rol kyç në rritjen dhe zhvillimin e tyre. Një nga këto role është edhe zhvillimi profesional, ku theks të veçantë i vihet përzgjedhjes së karrierës. Për ju si prind, çfarë do të thotë kjo më konkretisht? A duhet të jetë zgjedhja e karrierës së fëmijëve vendim i përbashkët apo i imponuar? Preferencat e prindërve për karrierën e fëmijëve të tyre janë nga më të ndryshmet, por jo gjithmonë preferencat tuaja dhe ato të fëmijëve përputhen me njëra tjetrën.

Gjatë procesit të orientimit profesional, të rinjtë i harmonizojnë vendimet e tyre rreth karrierës nën ndikim dhe mbështetjen e prindërve. Kontributi më i madh që një prind mund t’i ofroj fëmijës të tij/saj në procesin e orientimit profesional apo në karrierë është t’i nxisin dhe ta lehtësojnë këtë bisedë, t’i dëgjojnë mendimet e fëmijëve dhe të parashtrojnë pyetje që ndërlidhen me orientimin në karrierë. Parashtrimi i këtyre pyetje bën që fëmijët të mendojnë për të ardhmen dhe në mënyrë që të marrin vendimin e duhur, të kenë informata të mjaftueshme.

Marrëdhëniet e mira mes prindërve dhe fëmijëve të tyre kanë lidhje pozitive në raport me orientim në karrierë. Faktorët, si dashuria dhe mbështetja e prindërve, janë të lidhur me aspiratat për një të ardhme më të mirë. Mbështetja prindërore mund t’i bëj të rinjtë të kuptojnë dobinë dhe vlerën e karrierës si dhe të japin këshilla konkrete për angazhimet në karrierë.

Studimet tregojnë që nganjëherë prindërit ndikojnë në orientimin në karrierë në mënyrë eksplicite që t’ia lehtësojnë fëmijëve vendimet për karrierë. Këto studime identifikojnë dhjetë (10) kategori të ndryshme të cilat tregojnë qëllimet e prindërve për lehtësimin e vendimit të fëmijëve për karrierën e tyre:

  • Përvetësimi i shkathtësive
  • Zhvillimi i karakterit
  • Zhvillimi i  mendimit dhe veprimit të pavarur
  • Përvetësimi i vlerave dhe besimeve personale
  • Zvogëlimi i stereotipave të roleve gjinore
  • Mbrojtja nga eksperiencat e padëshiruara
  • Ruajtja e marrëdhënieve mes prindërve dhe fëmijëve
  • Lehtësimi i marrëdhënieve mes njerëzve
  • Zhvillimi i përgjegjësive personale
  • Zhvillimi i qëllimeve personale të prindërve

Prindërit duhet të zhvillojnë kompetencat e rolit të tyre si prind në mënyrë që t’i inkurajojnë fëmijët drejt orientimit në karrierë. Është me rëndësi që prindërit të mos i bëjnë presion dhe t’i përkrahin fëmijët gjatë orientimit në karrierë, madje edhe kur fëmija përcaktohet në një karrierë e cila nuk ka shumë kërkesë në tregun e punës. Numri i profesioneve është duke u rritur dita ditës, prandaj është e rëndësishme të eksplorohen të gjitha profesionet, e jo vetëm ato më të njohurat. Pas hulumtimeve të profesioneve është me rëndësi që të uleni dhe të bisedoni me fëmijët tuaj rreth atyre profesioneve, cilat i përshtaten preferencave të fëmijëve, cilat janë specifikat dhe paga mesatare e profesionit apo profesioneve e tyre të preferuara.

Disa nga rolet kryesore që prindërit luajnë në orientimin në karrierë të fëmijëve të tyre janë:

  • Motivimi

Të gjithë prindërit dëshirojnë më të mirën për fëmijët e tyre, andaj prindërit i motivojnë ata dhe i ndihmojë që të bëjnë zgjedhjen më të mirë në karrierë. Prindërit i motivojnë fëmijët që të punojnë shumë dhe të mos dorëzohen derisa të arrijnë suksesin e dëshiruar.

  • Lehtësimi në vendimmarrje

Nganjëherë fëmijët bëjnë zgjedhje të gabuara rreth karrierës dhe në këtë situatë roli i prindërve është t’i drejtoj dhe t’i ndihmoj ata në zgjedhjet e tyre. Ndoshta fëmijët ndihen të hutuar për zgjedhjen e drejtimeve të karrierës, nëse duhet të ndjekin karrierë në mjekësi apo ne tregti, në këtë rast, prindërit janë forcë udhëheqëse që i ndjek fëmijët në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhje të duhura.

  • Inkurajimi

Prindërit i inkurajojnë fëmijët të japin më të mirën e tyre përmes besimit dhe punës së palodhshme. Ata gjithashtu i nxisin fëmijët të dalin nga shtëpitë e tyre dhe të eksplorojnë më shumë në mënyrë që ata të dinë çfarë ofron bota jashtë vendit.

  • Udhërrëfyes

Sikurse avionët që udhëhiqen nga fanari kur e humbasin rrugën e tyre, prindërit veprojnë në një mënyrë të ngjashme në udhëzimin e fëmijëve rreth karrierës që dëshirojnë të ndjekin. Në këtë mënyrë, fëmijët janë më pak të prirë ndaj vështirësive që mund të hasin gjatë këtij rrugëtimi.

Këshilla për prindër

Nganjëherë prindërit kanë pritshmëri të caktuara për karrierën e fëmijës. Duhet të jeni të vetëdijshëm që pritshmëritë tuaja ndikojnë fuqishëm në procesin e orientimit në karrierë deri në atë masë sa që edhe mund ta bllokojnë atë. Edhe nëse si prindër i keni preferencat tuaja, fëmija duhet ta bëj vet përzgjedhjen e karrierës dhe presioni i prindërve e dëmton këtë proces. Qasuni me durim dhe mendje të hapur në këtë proces!

Preferencat tuaja jo gjithmonë do të përputhen me preferencat e fëmijëve tuaj, andaj sigurohuni që t’i mbështetni fëmijët pavarësisht dëshirave të ndryshme për karrierë.

Kini kujdes që të mos bëni presion (ndoshta edhe të pavetëdijshëm) mbi fëmijën tuaj për të realizuar ambiciet tuaja të paplotësuara! Fëmijëve tuaj duhet dhënë liria dhe hapësira për të jetuar jetën e tyre!

Informohuni bashkë me fëmijën tuaj rreth mundësive të shkollimit në qytetin apo komunën tuaj. Analizoni profilet të cilat ofrohen në shkollat e mesme të larta, gjimnazet etj. Në platformën Busulla.COM mund të informoheni hollësisht rreth shkollave për çdo qytet dhe t’i krahasoni profilet e ndryshme. Një vizitë në shkollën e preferuar mund të jetë po ashtu shumë e dobishme. Nëse fëmija juaj nuk ka pasur mundësi që në mënyrë të organizuar ta vizitoj shkollën e preferuar, ndërmerrni një hap të tillë së bashku ose lehtësojeni këtë proces.

Mos e humbni durimin në rast se fëmija juaj tregohet i pavendosur. Një gjë e tillë është më së normale. Nëse ka nevojë kthehuni në pikën fillestare të vetë-njohjes dhe eksplorimit të botës së profesioneve. Kjo mund të ndihmoj në eliminimin e pavendosmërisë. Një gjë e tillë kërkon kohë, prandaj është mirë që ta inkurajoni fëmijën tuaj të filloj sa më herët me proceset e parapara të orientimit në karrierë.

Fare në fund, por shumë me rëndësi: kur fëmija juaj ta ketë përzgjedhur profesionin, duke e bazuar këtë vendim në procesin e sipër-përshkruar, motivimi për mësim dhe studim do të jetë i lartë dhe suksesi nuk do të mungoj.

Referencat:

https://www.researchgate.net/publication/325551643_Envisioning_a_meaningful_future_and_academic_engagement_The_role_of_parenting_practices_and_school-based_relationships

https://www.researchgate.net/publication/309598728_Parental_involvement_in_career_education_and_guidance_in_secondary_education

https://content.wisestep.com/role-of-parents-in-childrens-career-selection/

Ndrysho fjalëkalimin

Password c1c080deb443f2949c8d26a914258320a0d5d8d215495b0a334288ca10721db0

Ju lutem, ndërroni fjalëkalimin për të qenë
Busulla juaj më e sigurtë.

Fjalekalimi nuk pershtatet