Lehtësimi i tranzicionit të nxënësve nga SHMU në SHML

Ekipi i Busullës

168 artikuj

197 ndjekës

Orientation 300x239

Rreth projektit

Me përfundimin e klasës së IX-të, nxënësit duhet të vendosin rreth shtegut të tyre të karrierës. Atyre iu duhet të zgjedhin fillimin e karrierës, duke e deklaruar drejtimin dhe shkollën e mesme të lartë në të cilën do ta vazhdojnë shkollimin e mëtejmë. Këtë vendim ata e marrin bazuar në informata reale mbi shkollat dhe profilet që ato ofrojnë, profesionet dhe tregun e punës. Megjithatë, qasja në këto informata shpeshherë është e limituar edhe përkundër rëndësisë së tyre në këtë fazë tranzicioni.

Për të përmirësuar dhe lehtësuar këtë proces, Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (Kosovo Career Development Foundation- KCDF) në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Pejë dhe me mbështetjen e Solidar Suisse, ka lansuar projektin Lehtësimi i tranzicionit të nxënësve nga shkolla e mesme e ulët në shkollën e mesme të lartë. Ky projekt ofron mbështetje për nxënësit e klasës së IX-të, në secilën shkollë të mesme të ulët në Komunën e Pejës.

Qëllimi i këtij projekti është të lehtësohet ky proces tranzicioni i nxënësve përmes një sërë aktivitetesh që parashihen të ndodhin në kuadër të projektit. Duke vënë nxënësit në qendër, projekti synon t’i përcjellë ata nëpër hapat e orientimit në karrierë dhe rrjedhimisht të nxisë pjekurinë profesionale të tyre, ashtu që me përfundimin e klasës së IX-të, nxënësit të marrin një vendim të mirinformuar për karrierën e tyre.

KCDF është duke bashkëpunuar ngushtë me palët e përfshira në projekt, përkatësisht me Këshillin Komunal për Orientim në Karrierë dhe shkollat e mesme të ulëta në komunën e Pejës për realizimin e aktiviteteve të projektit.

Aktivitetet e projektit

KCDF ka filluar implementimin e aktiviteteve të projektit duke përdorur metoda bashkëkohore për realizimin e tyre dhe duke iu përshtatur situatës aktuale të shkaktuar nga pandemia COVID-19. Përmes përmbajtjeve elektronike, video-materialeve, komunikimit online dhe takimeve live në platforma të ndryshme, janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për zbatimin e aktiviteteve të projektit.

Projekti parasheh arritjen e lehtësimit të tranzicionit të nxënësve, duke implementuar aktivitetet që përmbushin objektivat në vijim:

Trajnimi i anëtarëve të Këshillit Komunal për Këshillim dhe Orientim në Karrierë në monitorim dhe vlerësim të mësimdhënësve në implementim të modulit Orientimi në Karrierë dhe projektit në fjalë.

  • Njohja e nxënësve me Testet e Karrierës, ashtu që ata të njohin vetveten.
  • Njohja e nxënësve me botën e punës.
  • Njohja e nxënësve me profilet e shkollave të mesme të larta në Komunën e Pejës.
  • Realizimi i studimit gjurmues.

Trajnimi i Këshillit Komunal për Orientim në Karrierë

Në fazën iniciuese të projektit, përmes trajnimit online, ka filluar trajnimi i 27 anëtarëve të Këshillit Komunal për Orientim në Karrierë në monitorim dhe vlerësim të zbatimit të projektit dhe modulit të Orientimit në Karrierë.
KKOK është pajisur me përmbajtjen elektronike të përgatitur nga KCDF që synon t’i informoj ata mbi aktivitetet e projektit si dhe modulin e Orientimit në Karrierë. Për realizimin e këtij aktiviteti të projektit, do të mbahet edhe takimi online për diskutim me të gjithë anëtarët e këshillit.

Njohja e vetvetes

Në kuadër të këtij projekti, nxënësve do t’iu mundësohet të bëjnë njohjen e vetes në raport me karrierën e tyre përmes Testit të Personalitetit dhe Testit të Potencialit, në platformën Busulla.COM. Nxënësit do të kenë mundësinë të kyçen në platformë dhe t’iu nënshtrohen testeve online duke realizuar kështu hapin e parë të procesit të orientimit në karrierë, njohjen e vetvetes. Gjatë kësaj faze, KCDF do të jetë në kontakt me nxënësit përmes Forumit të Diskutimit në modulin Këshilltari në Busulla.COM, ku ata do të kenë mundësinë të postojnë pyetje dhe tema për diskutim.

Njohja me botën e punës

Aktiviteti i radhës që parashihet të ndodhë gjatë kësaj faze të projektit është informimi i nxënësve për botën e punës apo profesionet. Përmes prezantimeve dhe diskutimeve live nga profesionistë për profesione të ndryshme, nxënësit do të njihen me profesionet dhe do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje direkte dhe të bashkëbisedojnë me të tjerët gjatë këtyre sesioneve.

Nxënësit po ashtu do të njihen me modulet Profesionet dhe Puna dhe Praktika në platformën Busulla.COM, përmes përmbajtjeve elektronike dhe video-materialeve të siguruara nga ekipi i KCDF-së. Në këtë mënyrë nxënësit do të arrijnë të njohin botën e punës dhe profesioneve.

Njohja me profilet e shkollave të mesme të larta

Gjatë fazës së implementimit, parashihet të realizohet edhe njohja e nxënësve me profilet e shkollave të mesme të larta. Nxënësit do të kenë mundësinë të hulumtojnë në mënyrë elektronike për profilet e shkollave të mesme të larta në përgjithësi dhe në komunën e tyre në veçanti përmes modulit Shkollat/Universitetet të platformës Busulla.COM. Përfaqësuesit e SHML-ve do të incizojnë apo mbajnë prezantime live për profilet e tyre dhe nxënësit do t'i ndjekin dhe komentojnë duke shtruar pyetje gjatë këtyre sesioneve online.

Studimi gjurmues

Ky studim ka për qëllim që të kuptojë se cilin profesion e kanë zgjedhur nxënësit, pasi kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e lartcekura të projektit dhe pas regjistrimit në klasën e X-të të hulumtojmë nëse ata janë regjistruar në drejtimin përkatës në shkollë të mesme të lartë.

Në rastet kur ka shpërputhje në mes të profesionit të zgjedhur dhe regjistrimit në SHML, do të kërkojmë nga nxënësi të kuptojmë arsyet e këtij ndryshimi.

Rezultatet e pritshme të projektit dhe përfitimet për nxënësit

Rezultati i përgjithshëm i pritshëm nga ky projekt është marrja e një vendimi të mirinformuar nga nxënësit e klasave të IX-ta në komunën e Pejës dhe rrjedhimisht një tranzicion më të lehtë nga shkolla e mesme e ulët në atë të mesme të lartë. Projekti do të ndikoj në informimin e nxënësve, të cilët do të kalojnë nëpër hapat e orientimit në karrierë dhe do të përzgjedhin fillimin e një karriere bazuar në informata dhe konform interesave, vlerave, aftësive dhe preferencave të tyre personale.

Lehtësimi i tranzicionit të nxënësve do të mund të bëhet çdo vit shkollor, pasi që mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave do të kenë në dispozicion materialet dhe veglat e duhura për mirëmbajtjen e praktikave të projektit edhe në të ardhmen.