Ese tjetër: Avni Hajra, SHMLM "Xheladin Deda", Komuna Mitrovicë Klasa XII

Ekipi i Busullës

168 artikuj

196 ndjekës

100384529 icon of pen and document filling document checklist essay correspondence concept can be used for top

Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë

Aftësia e të qenit i vetëdijshëm nuk është aq e bukur sa tingëllon. Kur mendimi se kemi vetëm një jetë ku veprimet tona përcaktojnë të ardhmen tonë, të mbinë në kokë, vëmendja largohet nga e tashmja dhe fokusohet në të ardhmen. Ne jemi një nyje, në një rrjetë të madhe njerëzish, ku çdo veprim i jetës ndikon në ata që na duan dhe na njohin, e duke pasur parasysh këtë, veprimtaria të cilën do ta bëjmë gjatë pjesës më të madhe të jetës do ta definojë gjurmën tonë mbi ta. Të zgjedhësh është barrë, është muri me të cilin të githë duhet të ndeshemi!

Kur ia shtron vetes pyetjen “Çfarë dua të bëj me jetën time?” je duke kërkuar nga vetja të zgjedhësh nga tërë ajo që mund të jetë dhe të vendosësh atë që do të jetë. Shansi i dytë në jetë vjen shumë rallë, kështu që është mirë që çdo mundësi të trajtohet sikur e vetmja dhe e fundit. Çfarë bën me jetën tënde ka rëndësi, jo pse je i vetmi që e bën atë punë ose e ke atë pasion, mirëpo sepse je duke ndërmarrë hapin e guximshëm e të shpëtuarit të vetes nga humnera e të mos bërit asgjë, e të mos qenit askush, e ky hap është fisnik dhe hyjnor.

“Ai që ka një pse, mund të përballojë gati çdo ’si?’.” Kjo thënie është nga filozofi i madh i shekullit XX, Fredrik Niçe. U desh shumë që ta gjejë ‘Pse’-në time. Unë dëshiroj të bëhem doktor. Sfida ime, deri para epidemisë së Covid-19 ishte se ky profesion nuk po vlerësohet sa duhet te ne, ndërsa pas saj, profesioni i doktorit dhe punëtorëve shëndetësorë u vu në qendër të vëmendjes. Sikur një insitkt i thellë u zgjua te bota dhe u rikujtua se kush janë luftëtarët e vërtetë të vijave të frontit, që vetëm disa muaj me parë ishtin thjesht diçka që asocohej me ndjenjën e të qenit sëmurë. Në këtë kohë, kurrë më me fat nuk jam ndjerë që zgjodha këtë profesion. Sakrifica që e bëjnë mjekët është fisnike dhe e dinjitetshme, eksperiencë që pak profesione e ofrojnë, e asnjë nuk e ofron sa ai.

Sfida më e madhe që e shoh unë është ajo psikologjike. Jemi ngujuar në mendjet tona, shpesh duke grushtuar mure qe fare nuk ekzistojnë. Nuk mund ta rrëzosh një mur që nuk është para teje, e as nuk mund ta ndalësh një tren që nuk po vjen në drejtimin tënd. Sfidë është mungesa e dashurisë për profesionin. Kur fisnikëria dhe epiteti që mban mantili i bardhë nuk e thërret qenien tënde në mënyrë të plotë drejt tij, atëherë shanset janë që je duke grushtuar një mur që nuk gjendet veçse në mendjen tënde.

Ky nuk është mendim naiv, përkundrazi, jam i vetëdijshëm që në realitet kemi plot mure, si: vendi ku jetojmë, kushtet ekonomike, mungesa e infrastrukturës, mungesa e udhëzimit të duhur nga prindërit dhe mësimdhënësit, rrethi joambicioz dhe toksik, mirëpo qëllimi im është që duhet të zgjedhësh se cilat mure janë tuat për t’i thyer, sepse shumica nuk janë. Ato që janë fillimisht do t’i urresh, ndërsa më vonë do t’i shohësh me admirim sepse janë përgjegjëse për atë person në të cilin do të jesh transformuar. Nuk duhet të kërkojmë jetë pa mure, mirëpo të kërkojmë mjaftueshëm dije t’i dallojmë muret ndaj të cilave duhet të grushtojmë dhe mjaftueshëm forcë e guxim t’u dalim para dhe ta përballojmë betejën me to. Muret nuk janë armiku yt, mentaliteti yt është!

GARA PËR ESE 2020

Programi i USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET, zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Copr organizoi garën për ese me temë “Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë.” Qëllimi i kësaj gare ishte ofrimi i një mundësie për nxënësit e shkollave të mesme të larta publike në Kosovë të shfaqin talentin e tyre në shkrim si dhe të shprehin synimet dhe brengat e tyre rreth përzgjedhjes së karrierës. Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF) dhe Fondacioni IPKO.