Ese tjetër: Olda Deda, Gjimnazi "Hajdar Dushi", Komuna Gjakovë, Klasa XI

Ekipi i Busullës

168 artikuj

196 ndjekës

100384529 icon of pen and document filling document checklist essay correspondence concept can be used for top

Përzgjedhja e karrierës sime - sfidat dhe mundësitë

Kur isha e vogël, bisedat me një mik/e që po e shqetësonte diçka, empatia që unë formoja me atë individ dhe fjalët e tij/saj: “Olda faleminderit që më dëgjove dhe kuptove” ishin sikur dikush të më ofronte botën dhe të më thoshte se është e imja. Me sa duket nuk ia kisha idenë më të vogël që kështu po hidheshin hapat e parë të profesionit që do zgjedh. Kur hyra në shkollë të mesme presioni se brenda tre viteve unë duhej të përcaktohesha në një lëmi po rritej çdo ditë e më shumë. Këtu unë hasa në sfidën e parë- kjo qe trysnia e madhe nga shoqëria dhe nga vetja që të zgjidhja sa më shpejtë. Ishte zgjedhja mes profesionit “ideal” që vlerësohej maksimalisht nga shoqëria, pra mjekësia, apo profesionit që unë doja por që s’ia kisha idenë se cili ishte. Të them të vërtetën, vlera e madhe që shoqëria i jepte këtij profesioni, prestigji i lartë që mbarte kjo lëmi ndaj tjerave më bëri të mendoj se unë me të vërtetë e doja këtë.

Një ditë po dëgjoja një fjalim nga një këshilluese karriere. Ajo e ndërtoi të gjithë fjalimin e saj nga katër pyetje që të gjithë duhej t’ia bënim vetes: “Çfarë dua, çfarë më pëlqen, për çfarë më thonë të tjerët se jam e aftë dhe çfarë po më ndal?”. Ia bëja vetes këto pyetje çdo ditë, e pyetja e parë më ngjasonte shumë me të dytën. Ndodhte kështu sepse unë doja të bëhem mjeke që do të thotë se mua më pëlqen mjekësia apo jo? Njerëzit më thonin se jam e aftë në biologji apo gjuhë të ndryshme, por ajo që gjithmonë më ngulitej në mendje ishte kur dikush më thoshte se jam e mirë në këshilla, jam e aftë të kuptoj ndjenjat dhe mënyrën si ndihet dikush, por në fund bindja veten se kjo thjesht qe një virtyt i mirë që e posedoja.

Në vitin e dytë për herë të parë kuptova dallimin mes asaj që dua dhe asaj që më pëlqen. Ishte viti i parë që mësonim psikologji, e kjo e fundit qe e vetmja orë në të cilën ndihesha vetja në kuptimin e plotë të fjalës; këtu vërejta se ajo që të bën të ndihesh me të vërtetë vetja është ajo që ti do. Të gjitha pos asaj janë pasione, e siç thotë Terri Trespicio: “Pasionet janë ndjenja e ndjenjat ndryshojnë”.  Sot jam në disponim të shkruaj, nesër të mësoj anatomi, por ajo që gjithmonë rri pavarësisht disponimit tim është psikologjia. Atëherë unë vendosa se dua të vazhdoj psikologji e në mendje tanimë vërshonin mijëra qëllime për të arritur atë që dua.

I ndava këto me shoqëri e ata më thanë: “Olda, ti në Kosovë je”-fjali kjo që ka shuar shpresat e shumë bashkmoshatarëve te mi. Kjo qe sfida e dytë- njerëzit që do të gjenin arsyetime për të m’i prishur ëndrrat. Kurrë s’e kam kuptuar se përse njerëzit fokusohen se në Kosovë s’arrin gjë e i reduktojnë mundësitë që kanë në diçka më të realizueshme brenda saj. Psikologë, arkitektë, mjekë e qindra profesione që botës i nevojiten. Mbaj mend se Kosova është pjesë e një bote të tërë. Unë kurrë nuk do t’i mbyll mundësitë e mia brenda ca kufijve që i vuri një njeri tjetër. Ndoshta në Kosovë, ndoshta në anën tjetër të botës unë do arrij atë që dua. E di që do ketë sfida, dështime, rivalitete ama kush i arriti majat e suksesit pa këto?

GARA PËR ESE 2020

Programi i USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET, zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Copr organizoi garën për ese me temë “Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë.” Qëllimi i kësaj gare ishte ofrimi i një mundësie për nxënësit e shkollave të mesme të larta publike në Kosovë të shfaqin talentin e tyre në shkrim si dhe të shprehin synimet dhe brengat e tyre rreth përzgjedhjes së karrierës. Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF) dhe Fondacioni IPKO.