Ese tjetër: Alma Mashkulli, Gjimnazi "Gjon Buzuku", Komuna Prizren, Klasa XII

Ekipi i Busullës

168 artikuj

196 ndjekës

100384529 icon of pen and document filling document checklist essay correspondence concept can be used for top

Përzgjedhja e karrierës sime - sfidat dhe mundësitë

Jeta është një udhë e gjatë, e mbushur me të papritura të cilat e formojnë kuptimin e saj. Kësaj udhe, secili person ia shtron dhe ia përcakton kahjen, drejtimin, cakun e gjitha të tjerat duke u bazuar në vendimet, parimet, ëndërrat e mendimet e veta. Padyshim që kalldrëmi i kësaj udhe është karriera dhe profesioni të cilin e zgjedhim. Prandaj jam e vetëdijshme se duhet ta zgjedh me shumë kujdes bazën e udhës sime jetësore. Bota përmban një dinamizëm të tërë, duke na servuar një numër shumë të madh të mundësive, në mesin e të cilave mund ta kemi të vështirë orientimin.

Përzgjedhja e karrierës luan një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e perspektivës së gjykimit. Është një zgjedhje dhe një vendim i vështirë që varion nga shumë faktorë dhe rrethana të tjera. Orientimi në karrierë është esencial në lehtësimin e vështirësive të zgjedhjes së saj. Duke u bazuar nga fakti që çdo pikënisje fillon nga vetja, hapat e para në përzgjedhjen e karrierës sime i kam hedhur duke i analizuar interesat, vlerat, aftësitë dhe preferencat e mia. Kategorizimi i tillë, i marrë si model nga portali ”Busulla”  ka pasur një kontribut në vlerësimin e vetes, gjë që është një ndihmë dhe një hap i mbarë, për ta filluar gjurmimin në udhën time të karrierës. Hapi i dytë pas përfundimit të analizimit të vetes padyshim që është shqyrtimi i mundësive dhe sfidave që do t’i hasim gjatë këtij rrugëtimi. Në bazë të të gjitha kalkulimeve dhe llogaritjeve të tjera kam ardhur në përfundimin e përzgjedhjes, që mendoj se është e duhur për aftësimin tim profesional. Vendimi im rezultoi me planifikimin e studimit të Kimisë Inxhinierike.

[1] Kimia Inxhinierike është e mundësuar për studim në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Prishtinë. Përmes studimit të këtij drejtimi unë kam mundësinë që të mësoj më shumë për: kiminë analitike, spektroskopinë molekulare, kiminë koordinative e koloidalen dhe shumë tema të tjera të cilat përputhen me interesat e mija. Mundësitë e studimit të nivelit Master janë shumë të mëdha edhe jashtë Kosovës, në të cilën kryesisht e kam rishikuar mundësinë e studimit të saj në [2] Jacobs University në Gjermani, në të cilën janë në dispozicion programe te studimit në nivele të ndryshme.

Mund të themi se zgjedhja e këtij drejtimi sjell sfida në aspektin e gjetjes adekuate të vendit të punës për ta aplikuar bagazhin me njohuri që është fituar gjatë kohës së studimit të tij. Kjo sfidë mund të jetë më e dukshme në tregun e vlerësimit në kornizat e vendit tonë. Në vendet e tjera mundësitë e punësimit nëse jeni i diplomuar nga Kimia Inxhinierike janë të mëdha. Ju mund të punoni  si një inxhinier i kimisë, si kimist analist, si inxhinier i materialeve e shumë profileve të tjera, të cilat kanë një perspektivë të gjerë në zbatim dhe punë praktive. [3] Personalitetet të njohura si : Fred Koch (ndërmarrës i suksesshëm) , astronauti Robert Satcher, Maria Silvia Foster (CEO e Petrobras) e shumë të tjerë, kanë studiuar Kiminë Inxhinierike, gjë që jep një inspirim për rëndësinë dhe vlerën e këtij drejtimi.

Sfidat dhe mundësitë përcaktohen nga vet kufizimet që i vendosim si kornizë vetes. Nëse jemi përdorues të duhur të busullës sonë, atëhërë edhe orientimi i kërkuar do të jetë i pashmangshëm. Me rëndësi është që ta duam udhën tonë, t’i shfrytëzojmë mundësitë e ofruara, dhe të këmbëngulim deri në shndërrimin e pengesave në rrugëdalje. Vetëm në këtë mënyrë do ta ndërtojmë udhën tonë, të përshtatur e të koordinuar me idealet tona.

Burimet

https://busulla.com/

https://ww.timeshighereducation.com/student/subjects/what-can-you-do-chemical-engineering-degree

https://www.jacobs-university.de/study/undergraduate/programs

[1] Burimi i informacionit: https://busulla.com/

[2] Burimi i informacionit: https://www.jacobs-university.de/study/undergraduate/programs

[3] Burimi i informacionit:https://www.timeshighereducation.com/student/subjects/what-can-you-do-chemical-engineering-degree

GARA PËR ESE 2020

Programi i USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET, zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Copr organizoi garën për ese me temë “Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë.” Qëllimi i kësaj gare ishte ofrimi i një mundësie për nxënësit e shkollave të mesme të larta publike në Kosovë të shfaqin talentin e tyre në shkrim si dhe të shprehin synimet dhe brengat e tyre rreth përzgjedhjes së karrierës. Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF) dhe Fondacioni IPKO.