Vendi i pestë: Temal Haliti, Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës”, Komuna Viti, Klasa X

Ekipi i Busullës

167 artikuj

193 ndjekës

100384529 icon of pen and document filling document checklist essay correspondence concept can be used for top

Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë

Termi karrierë është aq i gjerë, saqë përshkrimi se çka ajo është vështirë thuret me fjalë. Përzgjedhjen e karrierës e shoh si ndër vendimet më të rëndësishme që njeriu merr gjatë jetës së tij, si përzgjedhje e udhëtimit i cili do të na dërgojë drejt rrugës së pasqyrimit të karakteristikave unike të personalitetit tonë dhe që pashmangshëm na dërgon drejt rrugës së pasqyrimit të vetë vlerave themelore të jetës. Ky vendim madhor luan rol kyç edhe në “kapjen” e kuptimit të vetë jetës, prandaj, përzgjedhja e karrierës është vendim mjaft delikat, pasi që ajo e drejton rrjedhën e jetës sonë dhe të mijërave vendimeve tjera që ne do të marrim gjatë gjithë jetës. Nuk do mend që në arritjen e një vendimi të tillë rruga përcjellet me shumë sfida dhe mëdyshje, por në fund të çdo tuneli ka një dritë dhe mu aty janë mundësitë të cilat i japin kuptim gjithë këtij rrugëtimi.

Të jesh adoleshent është vetë sfida, periudhë e cila shquhet për rritjen e përgjegjësive dhe marrjes së vendimeve, për fillimin e kërkimit të vetvetes. Sipas Stevenson (2014), disa nga pyetjet që rezultojnë me vetëndërgjegjësim janë: Çfarë më karakterizon? Çfarë dua të bëj e kush dua të jem në të ardhmen? - pyetje që tërthorazi japin informacionin e nevojshëm për përzgjedhjen e karrierës, por që janë aspak të lehta për t’u përgjigjur. Vështirësitë lindin duke filluar nga identifikimi dhe vlerësimi i interesave, aftësive dhe vlerave të mia e deri tek identifikimi dhe vlerësimi i mundësive për arsimimin, trajnimin dhe punën. Sipas Niklanovic&Nikshiqi (2011), bota e punës po pëson ndryshime shumë të shpejta, ku fokusi nuk është kah vetë puna, por kah aftësitë, talentet dhe interesat të cilat do të mund të shërbenin në një botë të punës, e cila është vazhdimisht në ndryshim, e kjo patjetër e rëndon barrën tonë në këtë drejtim. Por vallë, a do të kishte kuptim vetë jeta nëse sfidat nuk do të ekzistonin?!

Të trajnosh veten që të shohësh anën pozitive të gjërave është hapi i parë drejt arritjes së qëllimeve. Andaj, edhe në këtë rast parapëlqej që listës së gjërave sfiduese t’i kundërvihem me atë të mundësive, e që në rastin tim është në epërsi. Familja ime janë sytë me të cilët shoh botën dhe realitetin në të cilin jetojmë. Shkolla është mekanizmi i cili vë në funksion pikëpamjet e mia dhe dëshirën për ta jetësuar ëndrrën time për t’u bërë ai që dua, kurse Busulla është një nga mundësitë për të bërë realitet dëshirën për të njohur veten dhe për të reflektuar se për çka dua të kujtohem gjatë. Reflektimi po ndodh edhe në këto momente, dhe e di cfarë? Do ta ndaj me ju: Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe besoj se e ardhmja po shkon drejt digjitalizimit. Profesionet e kësaj natyre janë me perspektivë, garantojnë një të ardhme vizionare ku mundësitë janë të panumërta, prandaj e shoh veten në një të ardhme të tillë. Gërshetimi i mundësive të shumta për punësim e për avancim, fleksibilitetit që përmban kjo lëmi dhe përmbajtjes e interesave të mia rreth saj, e bëjnë atë që ta kryesojë listën time.

“Zgjedh një punë që e do, dhe nuk do të duhet të punosh as edhe një ditë të vetme të jetës tënde”, thënie mbi të cilën e shtroj motivin për përzgjedhjen e karrierës sime, e besoj se zgjedhja e duhur çon drejt një lumturie të “përjetshme”. Mendoj se cilido të jetë vendimi për përzgjedhjen e karrierës, duhet të merret duke pasur parasysh atë që thotë zemra, e që në harmoni me një arsye logjike, suksesi është i garantuar.

Burimet

Stevenson, L (2014), Edukimi në karrierë, Doracaku i mësimdhënësve, fq.10, Prishtinë

https://muhamerujkani.ëeebly.com/uploads/1/1/7/0/11705953/liber_per_karrier_per_klasa_t e_6_dhe_te_7.pdf

Niklanovic, S & Nikshiqi, E (2011), Edukimi për karrierën, Libri i mësuesit, Shtëpia botuese e librit universitar, Tirane p.24

https://arsimi.gov.al/ëp-content/uploads/2018/02/dok-0005.pdf

GARA PËR ESE 2020

Programi i USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET, zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Copr organizoi garën për ese me temë “Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë.” Qëllimi i kësaj gare ishte ofrimi i një mundësie për nxënësit e shkollave të mesme të larta publike në Kosovë të shfaqin talentin e tyre në shkrim si dhe të shprehin synimet dhe brengat e tyre rreth përzgjedhjes së karrierës. Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF) dhe Fondacioni IPKO.