Vendi i katërt: Blenda Kurshumliu, Gjimnazi “Frang Bardhi”, Komuna Mitrovicë, Klasa XII

Ekipi i Busullës

167 artikuj

193 ndjekës

100384529 icon of pen and document filling document checklist essay correspondence concept can be used for top

Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë

Secili adoleshent në botë mbërrin në një pikë kur duhet të zgjedhë karrierën e tij e të marrë vendime lidhur me të. Përzgjedhja e karrierës është një proces që të ndihmon të njohësh dhe zhvillosh aftësitë në ndonjë fushë të caktuar. Mund të themi se ajo varet nga talentet, pasionet dhe preferencat tona. Në të njëjtën kohë, ky proces përmban në vete edhe shumë sfida për të cilat mund të themi se rrjedhin kryesisht nga shoqëria. Mundësitë e përzgjedhjes së karrierës fillojnë tek individi. Është shumë e rëndësishme që individi të ndihet i sigurt dhe komod në profesionin që e ka zgjedhur. Qëllimet dhe dëshirat e personit janë shumë të rëndësishme në këtë proces sepse janë pikërisht këto vendime që do të ndikojnë në të ardhmen dhe lumturinë e tij. Kjo vjen si pasojë e faktit se pothuajse gjysma e jetës së njeriut kalohet në vendin e punës.

Mundësia tjetër për përzgjedhjen e karrierës është komunikimi me njerëz. Në qoftë se ne dëshirojmë të zgjedhim një profesion të caktuar, atëherë mënyra më e mirë për ta njohur më mirë profesionin është të flasim me njerëz që e ushtrojnë po atë profesion. Në këtë mënyrë mund të kemi një imazh të qartë se çfarë na pret kur vendosim ta studiojmë a të veprojmë në atë fushë. Praktika mund të jetë një tjetër ndihmesë në përzgjedhjen e karrierës, por mënyra e vetme që ne ta dimë se a i përgjigjen shkathtësitë tona atij profesioni është ta testojmë veten po në atë fushë. Në këtë mënyrë mund të shohim vetë përparësitë dhe mangësitë e atij profesioni, e të ballafaqohemi me sfidat që do të na presin në të ardhmen në qoftë se vendosim të merremi me atë profesion.

Sa i përket sfidave mund të themi se janë kryesisht sociale, për shkak se burojnë nga shoqëria që na rrethon. Njëra prej sfidave më të shpeshta është ndikimi i familjes në vendimet tona e sidomos në përzgjedhjen e profesionit. Prindërit janë zakonisht ata të cilët insistojnë që fëmijët e tyre të zgjedhin profesione që i konsiderojnë stabile dhe fitimprurëse. Janë pa mëdyshje ata që e dëshirojnë më të mirën për ne, por ndodh që individi të ketë preferenca krejtësisht ndryshe nga prindërit për zhvillimin e karrierës së tij/saj. Së dyti, mund të përmendim edhe nepotizmin. Shumica e të rinjve në vendin tonë janë të vetëdijshëm se, edhe në qoftë se kualifikohen për një profesion të caktuar, do të jetë shumë e vështirë për ta të punësohen e të kenë një punë ku mund ta ushtrojnë profesionin që e kanë studiuar. Kjo e gjitha vjen si rezultat se ata nuk kanë mbështetje të fortë familjare a politike. Së treti, mund të themi se ka profesione ku në vendin tonë nuk vlerësohen e për këtë arsye nuk sjellin shumë të ardhura. Duke e marrë parasysh këtë fakt, individi është i detyruar të zgjedhë një profesion krejtësisht ndryshe prej atij që e ëndërron ta ushtrojë në të ardhmen.

Me të vërtetë, përzgjedhja e karrierës është një proces që në vete përmban mundësi, por në të njëjtën kohë edhe sfida. Kjo pasi mund të ndikohet nga shijet personale e të bie ndesh me preferencat e familjes ose shoqërisë. Ose nuk mund të sjellë fitim të mjaftueshëm për ta siguruar jetesën. Individi para se të vendosë duhet të hulumtojë, të flasë me njerëz e ta ushtrojë/praktikojë sadopak atë profesion me qëllim që të jetë i gatshëm për vështirësitë në fushën ose profesionin që planifikon ta zgjedhë.

Burimet

Lata, Eliona. “Këshillimi i Karrierës, Degët Që Duhet Të Zgjidhni.” Shekulli, 3 July 2013, shekulli.com.al/26389/.

MyCollegeGuide.org. “Career Ideas and How to Choose a Career.” My College Guide, mycollegeguide.org/career-opportunities.

McKay, Dawn Rosenberg. “How Do I Pick the Right Career?” The Balance Careers, The Balance Careers, 12 Mar. 2019, www.thebalancecareers.com/how-to-choose-a-career-524776.

Lovering, Catherine. “The Advantages of Following Your Interests in a Career.” Chron.com, 9 Nov. 2016, work.chron.com/advantages-following-interests-career-14641.html.

GARA PËR ESE 2020

Programi i USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET, zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Copr organizoi garën për ese me temë “Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë.” Qëllimi i kësaj gare ishte ofrimi i një mundësie për nxënësit e shkollave të mesme të larta publike në Kosovë të shfaqin talentin e tyre në shkrim si dhe të shprehin synimet dhe brengat e tyre rreth përzgjedhjes së karrierës. Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF) dhe Fondacioni IPKO.