Vendi i tretë: Joni Mustafa, Gjimnazi “Kuvendi i Arbërit”, Komuna Ferizaj, Klasa X

Ekipi i Busullës

167 artikuj

193 ndjekës

100384529 icon of pen and document filling document checklist essay correspondence concept can be used for top

Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë

Sot ishte ditë më ndryshe, mund ta ndieja nga era që fryente e më sillte në kokë ca mendime. Po prisja i ulur në stacion për trenin e fundit atë ditë, ai që do të më shpinte në shtëpi. Pritjen time e shoqëronin zërat që kumbuan sot në klasë. Idetë dhe planet për të ardhmen që kishin bërë shoqet dhe shokët e mi, më jepnin të kuptoj se ata e kishin ndarë mendjen. Nuk e di se ç’ngjalli në mua shqetësim, fakti që ata kishin vendosur kaq shpejt apo ngaqë unë s’kisha menduar fare!? Pikëpytetjet e mia i zbehu zhurma e frenave të trenit, që u shfaq para meje. Hapat e mi i vëreja edhe unë, të ngadaltë dhe të heshtur, sikur nuk doja të ikja pa thënë dhe unë përgjigjen time në klasë. Isha përhumbur në bukurinë e natyrës që vështroja nga dritarja për të më marrë mendjen një zë. Djalosh, e di ti si dallohen ëndërrimtarët?  -më pyeti. Ktheva kokën dhe pashë një zotëri në moshë të shtyrë, që më ishte drejtuar. Pa më lënë të përgjigjem tha: [1] “Ëndërrimtarët është e lehtë t’i dallosh, janë ata që gjithmonë ulen afër dritares”.

Urtësia në atë zë më bëri t’i dëgjoja rrëfimet e tij një nga një. Jeta i ngjan një udhëtimi të shkurtër për në destinacion. Lumturia është cilësia e saj, e këtë e sjell era e zgjedhjeve tona. Njeriun e fisnikëron puna, andaj puna duhet bërë me përkushtim! Duket shumë e vështirë të zgjedhësh në moshë kaq të re se cili profesion do të përmbush jetën tënde. Por nuk është! [2] Hapi i parë është të njohësh veten, aftësitë dhe dëshirat që ke. Të pëlqen të ndërtosh, bëhu arkitekt ose ndërtues. Të pëlqen të kujdesesh për njerëzit, atëherë bëhu doktor. Të pëlqen të mësosh të tjerët, pra bëhu mësues e profesor. Nëse të ngjallë kënaqësi piktura e arti, zgjedh të bëhesh artist. Nëse të pëlqen të shkruash, bëhu shkrimtar. Mundin mos e kurse kurrë për zgjedhjen që ke bërë! Jo çdo gjë do të jetë e lehtë, jo çdo ditë do të jetë dita jote, por vendosshmëria do të jetë shpëtimtari yt. Njerëzit nuk lindin të dijshëm, por ata bëhen me dëshirën e tyre. Mos u frikëso! Fillimi është gjithmonë i vështirë, ka qenë sfidë për të gjithë, por jo i pamundur. Beso në veten! Beso në ndryshimin që do të sjellësh në botë, në shembullin që do të japësh, sepse puna e bërë me dashuri e lartëson njeriun. Ky rrugëtim do të të njohë ty me sakrificën, aktin më altruist që do të bësh për profesionin tënd. Përgatitjes tënde profesionale do t’i kushtosh qenien tënde, kohën, largësinë nga familja e ndonjëherë edhe nga atdheu. Një ditë punën tënde do ta njohë e gjithë bota, e kur ajo ditë të vijë, ti do të jesh shembull i një karriere të suksesshme!

[3] “Punë, punë natë e ditë që të shohësh pakëz dritë”, me këto fjalë ky i panjohur që njoha përfundoi bisedën, e mua më la me këshillat më të mira që kisha marrë ndonjëherë! Ndjeva paqen të më kaplonte shpirtin se tani e dija se çfarë doja!

Burimet

[1]: Thënie nga John Blauer. Origjinali: “I sognatori li riconosci : sono quelli che si siedono dalla parte del finestrino”

[2]: Artikulli “How to choose a career”. https://www.careerkey.org/choose-a-career/how-to-choose-a-career.html#.XqnCUhQzZdg

[3]:Thënie nga Naim Frashëri.

GARA PËR ESE 2020

Programi i USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET, zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Copr organizoi garën për ese me temë “Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë.” Qëllimi i kësaj gare ishte ofrimi i një mundësie për nxënësit e shkollave të mesme të larta publike në Kosovë të shfaqin talentin e tyre në shkrim si dhe të shprehin synimet dhe brengat e tyre rreth përzgjedhjes së karrierës. Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF) dhe Fondacioni IPKO.