Vendi i dytë: Agon Drini, Gjimnazi "Gjon Buzuku", Komuna Prizren, Klasa XII

Ekipi i Busullës

167 artikuj

193 ndjekës

100384529 icon of pen and document filling document checklist essay correspondence concept can be used for top

Përzgjedhja e karrierës sime - sfidat dhe mundësitë

Dyshimi për mospraninë e frikës në lëvrimet shkrimore nga grupmoshat e ndryshme për karrierën është aq i vogël, saqë edhe optimistët dhe flegmatikët më të shquar do të përjetonin një lloj hamendësimi të shkurtër për këtë. Ky dyshim bëhet edhe më i zbehtë tek ne të rinjtë që gjendemi nën jehonën e ankthit, ku barra e madhe që vendoset mbi ne na bën të mos hasim në lodhje, por në një frikë të paparë më herët. Kjo frikë mbillet në qenien tonë që nga koha e realizimit të pavarësisë në të jetuar dhe që mendohet se është duke e kalbur qenien tonë, por nën dritën e viteve të ardhshme do të rezultojë si një pjekje e bukur njerëzore. Por, gjithçka është aq mospërfillëse dhe kundërshtuese, saqë koha për meditim në karrierë është e rrallë dhe kështu shumë nga ne zihemi në befasi.

Frika jonë buron nga pamundësia e përkthimit të denjë të dëshirave tona fëmijërore në vendimet tona për karrierë. Kjo na bën të parafytyrojmë se e ardhmja është duke na i mbulurar ëndrrat e së shkuarës, dhimbjen për humbjen e së cilave tani jemi duke e shijuar, duke marrë vendime nën errësirën e natës dhe shpejtësinë e dritës. Ndoshta dikur muret e shtëpisë i kemi ngjyrosur me brushë në dorë ose tani jemi duke shkruar një poezi rinore në njërën prej parqeve të qytetit, por që të dyja fatkeqësisht në syrin tonë janë dërrasa të kalbura për t’u shkelur. Siç edhe ka thënë Les Brown: “Shumë prej nesh nuk janë duke jetuar ëndrrat tona sepse ne po jetojmë frikën tonë”.

Me sfida ne takohemi që në vigjilje të udhës sonë në karrierë, ku orientimi dhe edukimi në karrierë, që janë të pandashme me njëra-tjetrën tek ne mungojnë dukshëm. Mospajisja jonë me to në një kohë, në të cilën grimtësimi i profesioneve na stërmundon në përzgjedhje, bën që rruga drejt shkëlqimit të jetë e rëshqitshme. Ne, të rinjtë e vendeve në ngecje, para tejkalimit të vështirësive financiare, duhet ta mposhtim mentalitetin rreth nesh. Mbase, koha që shpenzojmë për krijimin e empatisë me të tjerët, mbetet e vogël për t’u ballafaquar me kërkesat tona. I tillë është pushtimi i kështjellës nga brenda.                                                 

Përkundër se jemi të rrethuar nga shumë sfida, ne jemi nën shoqërinë e shumë mundësive, ku lypset një kujdes jashtëzakonisht i shtuar për të mos rënë në grackën e mundësive të pavlera. Një hulumtim thotë se: “Këshilluesit shpeshherë bien në kurthin e asaj që sociologët e quajnë ‘narcizëm bisedor’, ku ata fokusohen më shumë në preferencat personale dhe përvojën e tyre sesa në këndvështrimin tonë”. Prandaj, ne duhet ta ruajmë çiltërsinë e mendimit tonë. Përftimi nga bashkëbisedimet me këshillues mund të jetë përvetësimi i teknikave të të menduarit në mendjen e një profesionisti, me ç’rast këndvështrimi ynë bashkë me dëshirën tonë krijojnë një simbiozë të shkëlqyer mendimesh.

Me të vërtetë, mjedisi bashkëkohor ka krijuar një fushëbetejë mes optimizmit dhe reales. Bredhja në mendime për të ardhmen është duke u zëvendësuar me hulumtime të statistikave. Ka një lloj shkëmbimi mes dëshirës së zjarrtë me të dhëna bukur të sakta. Ndoshta, ne si shoqëri ende nuk e kemi bërë kapërcimin nga paragjykimet në statistika. Andaj, ne ende do të mbesim viktimë e këshillave e madje edhe e urdhërave të përbetuara ndaj profesioneve tradicionale. Zgjedhja e karrierës për mua është ngjitja e një mali, prej nga mund t’i shikosh vargmalet e tjera për t’u ngjitur dhe ku si ushqim të vetëm do ta kesh frikën.

Burimet

https://www.brainyquote.com/authors/les-brown-quotes

https://masht.rks-gov.net/uploads/2015/06/doracaku-i-mesimdhenesve-alb-2.pdf

https://www.nytimes.com/2020/04/02/smarter-living/how-to-give-better-advice.html?searchResultPosition=3

GARA PËR ESE 2020

Programi i USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET, zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Copr organizoi garën për ese me temë “Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë.” Qëllimi i kësaj gare ishte ofrimi i një mundësie për nxënësit e shkollave të mesme të larta publike në Kosovë të shfaqin talentin e tyre në shkrim si dhe të shprehin synimet dhe brengat e tyre rreth përzgjedhjes së karrierës. Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF) dhe Fondacioni IPKO.