Vendi i parë: Dren Mullhaxha, Shkolla e Mesme e Mjekësisë, Komuna Pejë, Klasa XII

Ekipi i Busullës

167 artikuj

193 ndjekës

100384529 icon of pen and document filling document checklist essay correspondence concept can be used for top

Përzgjedhja e karrierës sime - sfidat dhe mundësitë

“Diku, diçka e mahnitshme është duke pritur për t’u njohur”- këtë thënie të astronomit Carl Sagan e kam të stampuar në shpirt. Prej se isha një çun i vogël, kurreshtja ime nuk njihte kufi. Isha i magjepsur ndaj çdo gjëje që ndodhte përreth meje. Se si ishte formuar bota jonë aq komplekse, më mahniste në thellësi. Nuk rreshtja së bëri pyetje, nuk e lija nënën rehat. Njëherë bile edhe nisa të qaj, duke i thënë: Çfarë do të ndodhë kur të gjitha ushqimet do të harxhohen në dyqanin matanë? Isha i etur për njohuri. Kështu, nisa të hulumtoj për botën tonë. Prindërit më blinin enciklopedi, CD për shpikje dhe zbulime, pastaj nisa të vijoj shkollën e muzikës, karatesë dhe gjithçka që mundja. Më është dhënë vetëm një jetë, dhe do të bëj çmos që t’i përjetoj të gjitha mrekullitë që fsheh ajo. Por, pikërisht kjo kureshtje ma bëri tejet të vështirë përfytyrimin e të ardhmes sime.

“Oh, mos u merakos, çfarëdo që ti të zgjedhësh do të bëhesh i suksesshëm!” më thonin shokët. Kjo më bënte të ndihesha edhe më keq, më dukej se po braktisja shumë pasione! Shumë shpejt do të vinte koha që të përzgjedhja drejtimin e shkollës së mesme, dhe unë nuk isha gati të hiqja dorë nga gjithë ato lëmi. Megjithëse e doja artin dhe muzikën, standardet e shoqërisë dhe arsimtarët më dekurajonin. Nën presionin e rrethit, vendosa të vijoj mësimin në Shkollën e Mesme të Mjekësisë.

Dita-ditës ndihesha më i pasigurt për përzgjedhjen e karrierës sime. “Më në fund, një doktor në familje!” ma bënte gjyshja. “Mjekët sot kanë mundësi me bollëk, dhe marrin një copë të majme parash!” thonin shokët. Midis këtyre fjalëve, ndihesha i burgosur mes qelive që kishte ndërtuar  shoqëria me gjykimet dhe pritshmëritë e tyre. Kisha humbur sensin e lirisë.

“Përfytyro veten në një botë ku nuk ekzistojnë mendimet dhe kritikat e të tjerëve, mund të studiosh çfarë dëshiron, pa marrë parasysh kushtet dhe rrethinën. Cili është ai pasion të cilin e kërkon zemra jote?” ma bëri psikologu. Kjo pyetje hapi mendime që i kisha mbyllur për një kohë të gjatë. A mund të arrij të studioj çfarë dëshiroj unë, pavarësisht ndikimit shoqërore? Pas një udhëtimi të gjatë me tren, duke soditur jashtë dritares pamjen melankolike të një dite me shi, u thellova në këto mendime. Nëse unë nuk jam i kënaqur me atë të cilën kam arritur, atëherë cili është qëllimi? A nuk po e tradhtoj vetë pikëpamjen që kisha pasur ndaj jetës? Ajo është e imja dhe vetëm e imja, do të bëhem njeriu që dua të jem! Mendimet e Drenit të vogël që kishin qëndruar mbyllur për aq shumë kohë u kthyen, dhe u shndërruan në vendime.

“Ç’do të bësh me shkenca biologjike? Të punosh në një shkollë? Të mbetesh i papunë?” ma bënë prindërit. “Nuk kam asgjë kundër, por ti do të arrije të bëheshe mjek shumë i aftë dhe i pasur, e nga gjenetika s’ke gjë” më thonin shoqëria. Mori kohë dhe mund që t’i bindja, por unë nuk u dorëzova. Ende çdo ditë ndeshem me njerëz që më kundërshtojnë, por unë vazhdoj. Do të punoj e të mundohem pa ndalesë, e një ditë do të arrij majat! Do të bëj të pamundurën që të zhvilloj shtetin tim, e që të bëhem një njeri krenar me veten! Citoj Stephen Hawkings, “Sado e vështirë që mund të duket, ti gjithmonë mund ta arrish. Vetëm duhet që të mos dorëzohesh kurrë”. Ndaj unë të pyes, a do punosh edhe ti që t’i mbërrish endërrat e tua?

GARA PËR ESE 2020

Programi i USAID “Përkrahje adoleshentëve pas mësimit të rregullt” - ASSET, zbatuar nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) në partneritet me FHI360 dhe Crimson Capital Copr organizoi garën për ese me temë “Përzgjedhja e karrierës sime – sfidat dhe mundësitë.” Qëllimi i kësaj gare ishte ofrimi i një mundësie për nxënësit e shkollave të mesme të larta publike në Kosovë të shfaqin talentin e tyre në shkrim si dhe të shprehin synimet dhe brengat e tyre rreth përzgjedhjes së karrierës. Ky aktivitet u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Zhvillim të Karrierës (KCDF) dhe Fondacioni IPKO.