Udhëzues për mësimdhënësit e fushës Jeta dhe puna për zbatim të aktiviteteve rreth edukimit dhe orientimit në karrierë në klasën e IX-të

Ekipi i Busullës

168 artikuj

197 ndjekës

Screenshot 2

Edukimi dhe orientimi në karrierë: Aktivitete për nxënësit e klasave të nënta

Në vijim janë të shënuara një numër aktivitetesh të parapara për zbatim me nxënësit e klasave të nënta në kuadër të fushës Jeta dhe Puna. Aktivitetet janë të ndërlidhura në atë mënyrë që të mbështesin zhvillimin e kompetencave të parapara dhe arritjen e rezultateve të të mësuarit, të parapara me kurrikulë.

Gjatë aktiviteteve, nxënësit inkurajohen që vazhdimisht të mbajnë një bllok për edukim dhe orientim në karrierë në të cilin mbajnë shënime. Këto shënime do t’iu shërbejnë atyre edhe për përpilim të Planit Individual të Zhvillimit në të cilin përpilojnë dhe përcjellin arritjen e objektivave për karrierën e tyre.

Për të lehtësuar leximin dhe memorizimin, aktivitetet e shënuara përmbajnë pikat si në vijim:

  • Periudha kur do të zbatohet aktiviteti dhe numri i orëve mësimore të nevojshme;
  • Mjetet apo instrumentet e nevojshme për zbatim të aktivitetit;
  • Hapat apo nën-aktivitetet që duhet ndjekur për realizim të aktivitetit;
  • Ide, sugjerime për aktivitete shtesë.

Njohja e nxënësve me vetveten përmes testeve të karrierës

  • Shtator - Tetor, 2 orë mësimore
  • Busulla.COM

Për të përzgjedhur karrierë të përshtatshme, nxënësit duhet të reflektojnë mbi tiparet e tyre të personalitetit, që konsiderohet hapi fillestar në procesin e orientimit në karrierë. Varësisht tipareve të personalitetit, nxënësit konsiderojnë profesionet dhe fushat e studimit që përputhen me karakterin e tyre. Në vijim janë një numër i nën-aktiviteteve dhe udhëzimeve për mësimdhënës që mbështesin njohjen e nxënësve me vetveten.

  • Prezantimi i platformës Busulla.COM tek nxënësit dhe dhënia e instruksioneve për t’u regjistruar

Gjatë këtij hapi, nxënësve iu prezantohet në pika të shkurtra qëllimi i platformës Busulla.COM dhe moduleve. Udhëzoni nxënësit që të regjistrohen në Busulla.COM me kredencialet e tyre si: emri, mbiemri, klasa dhe shkolla.

  • Plotësimi i testeve të karrierës nga nxënësit dhe diskutimi i rezultateve

Gjatë dy orëve mësimore nxënësit udhëzohen që të plotësojnë Testin IVAP dhe Testin e Potencialit në Busulla.COM. Plotësimi i përgjigjeve duhet të jetë relativisht i shpejtë dhe instinktiv në mënyrë që nxënësit të mos anojnë në përgjigjet e tyre. Para dhe pas plotësimit të testeve stimuloni diskutime të shkurtra, me pyetje të tilla si: Cilat janë interesat e juaja? Çfarë lloj aktivitetesh mendoni se i bëni më së miri? Më së shpejti? Për cilat aktivitete dhe lëndë mësimore pranoni më së shumti lëvdata? Çfarë është e rëndësishme për juve në punën tuaj? Analizoni rezultatet e nxënësve, diskutoni dhe krahasoni ato me përgjigjet e nxënësve para plotësimit të testeve.

  • Udhëzimi i nxënësve që të diskutojnë pyetjet dhe rezultatet me prindër 

Prindërit kanë ndikim në karrierën e fëmijës. Ata kanë njohuri të shumta për personalitetin dhe dëshirat e fëmijëve. Po ashtu, ata kanë edhe dëshira të tyre për fëmijët. Nxisni fëmijët që në shtëpi të diskutojnë me prindërit dëshirat dhe planet e tyre për të ardhmen.

  • Krijimi i fokus grupeve

Disa nxënës mund të ndajnë rezultate të njëjta. Kur të analizoni rezultatet, specifikisht top profesionet e tyre krijoni fokus grupe që konsistojnë me nxënës me profesione të njëjta, apo të ngjashme. Këto fokus grupe do iu shërbejnë për aktivitetet e radhës. Takimet me profesionistë, vizitat në biznese, vizitat në shkolla të mesme të larta është e rëndësishme të bëhen varësisht këtyre fokus grupeve. Secili aktivitet është më efikas dhe më me interes për nxënësit kur është relevant për ta. Prindërit po ashtu mund të plotësojnë Testet e Karrierës për fëmijën e tyre. Prindërit dhe nxënësit mund të krahasojnë dhe diskutojnë përgjigjet e njëri-tjetrit dhe rezultatet që iu janë shfaqur.

Njohja e nxënësve me botën e punës dhe profesioneve

  • Nëntor - Shkurt, 10 orë mësimore   
  • Busulla.COM                                           
  • Lista e profesionistëve dhe agjenda e prezantimeve
  • Databaza e bizneseve dhe marrëveshjet me biznese

Këto aktivitete iu mundësojnë nxënësve të marrin informata të shkruara rreth profesioneve si dhe informata të dorës së parë nga profesionistët mbi karrierën e tyre dhe të rrjetëzohen me ta. Po ashtu, të dëgjuarit e historive të personalizuara të karrierës dhe historive të suksesit motivojnë nxënësit për përzgjedhje dhe ushtrim të një profesioni.

  • Prezantimi i modulit “Profesionet” në Busulla.COM tek nxënësit

Gjatë një ore mësimore, prezantoni modulin “Profesionet” në Busulla.COM. Shpjegoni informatat në tekste të profesioneve, videot si dhe komponentët e këtij moduli si niveli i shkollimit, fusha e studimit, etj. Udhëzoni nxënësit që gjatë orës mësimore të informohen për profesionet e tyre të preferuara dhe të diskutojnë specifikat e këtyre profesioneve. Udhëzoni që në shtëpi të eksplorojnë profesionet e tjera që gjinden në këtë modul. 

  • Organizimi i prezantimeve nga profesionistët

Bazuar në profesionet e preferuara të nxënësve dhe fokus grupet e krijuara, organizoni takime mes nxënësve dhe përfaqësuesve të këtyre profesioneve. Nxënësit, prindërit, ju dhe pjesa tjetër e stafit mund të identifikoni profesionistë të ndryshëm dhe t’i kontaktoni ata që të takohen me nxënësit. Takimet mund të organizohen në forma të ndryshme. Takimet mund të jenë virtuale, apo reale ku gjatë një ore mësimore profesionistët vizitojnë nxënësit në klasë dhe bisedojnë me ta. Profesionistët prezantojnë shtegun e tyre të karrierës, konkretisht shkollimin e tyre, punët që kanë bërë, kualifikimet e nevojshme dhe avancimin në karrierë. Ata po ashtu prezantojnë rreth profesionit të tyre, kërkesën për këtë profesion, detyrat e përditshme të punës, mjetet që përdorin, sfidat dhe mundësitë, paga, e të ngjashme.

Para takimeve, inkurajoni nxënësit që të përgatiten për këto takime, duke mbledhur informata rreth profesionit dhe duke bërë pyetje për profesionistët. Kështu, përpos prezantimit, profesionistët adresojnë edhe pyetjet e nxënësve.

Takimet me profesionistë mund të jenë edhe më efikase nëse organizohen në nivel shkolle. Kështu, disa profesionistë do të prezantonin në të njëjtën kohë, por në hapësira të ndryshme. Nxënësit do të njoftoheshin paraprakisht për të gjithë profesionistët që do të prezantojnë dhe do të ndjekin prezantimet që janë relevante për ta.

  • Organizimi dhe udhëheqja e vizitave të nxënësve në biznese

Përpos prezantimeve të profesionistëve, në mënyrë që nxënësit të kenë një ide sa më të qartë për të vendosur për profesionin e tyre, është e rëndësishme që të njoftohen edhe me vendet e punës të profesioneve të ndryshme. Identifikoni biznese që janë të gatshme që gjatë një ore të presin nxënësit dhe të iu prezantojnë aty vendin e punës atyre. Kështu, gjatë vizitës, nxënësit shohin vend-punimin, infrastrukturën, mjetet e nevojshme për punë, atmosferën dhe mënyrën e punës, e të tjera të ngjashme. Për organizim sa më efikas është e rëndësishme që me biznese të komunikohet qëllimi i vizitës, ndërsa nxënësve të iu komunikohet agjenda. Po ashtu, është e rëndësishme që bizneset që nxënësit vizitojnë të përkojnë me profesionet e tyre të preferuara.

Po ashtu, inkurajoni nxënësit që të marrin informata paraprake rreth vend-punimeve që do të vizitojnë, të përgatisin pyetje eventuale dhe të mbajnë shënime gjatë vizitës.

Ngjashëm me vizitat e profesionistëve, vizitat e nxënësve në biznese janë më efikase nëse organizohen në nivel shkolle. Rrjedhimisht, nxënësit e klasave të ndryshme, varësisht fokus grupeve, do të vizitonin bizneset me interes për ta. Për bashkëpunim afatgjatë, shkolla mund të nënshkruaj memorandum mirëkuptimi me bizneset, për vizita të vazhdueshme të nxënësve në bizneset e caktuara.

Njohja me profilet e shkollave të mesme të larta

  • Mars, 5 orë mësimore        
  • Busulla.COM

Zgjedhja e një shkolle të mesme, duke reflektuar mbi profesionin në të ardhmen është qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve. Më poshtë janë hapat që mbështesin nxënësit të përzgjedhin profilin që iu përshtatet.

  • Prezantimi i modulit “Shkollat/Universitetet” në Busulla.COM tek nxënësit

Gjatë një ore mësimore, prezantoni modulin “Shkollat / Universitetet” në Busulla.COM. Shpjegoni përmbajtjen e këtij moduli dhe opsionet si: filtrimi përmes komunës, fushës së studimeve, krahasimi i profileve, ruajtja e profileve të preferuara, etj. Shpjegoni komponentin ‘’Gjej shkollën / universitetin’’ që ndërlidh modulin e Profesioneve me Shkollat / Universitetet, si një mënyrë më e lehtë dhe shpejtë për të gjetur institucionet arsimore që ofrojnë drejtime/profile për profesionin e tyre të preferuar. Inkurajoni nxënësit të njoftohen me syllabuset e profileve të preferuara, të krahasojnë ato dhe të analizojnë ndërlidhjen me profesione.

  • Organizimi i takimeve me shkolla të mesme të larta

Pasi që janë pajisur me informata, është e rëndësishme që nxënësit po ashtu të takohen me përfaqësues nga shkollat e mesme të larta. Këta mund të jenë mësimdhënës, zyrtarë të Qendrave të Karrierës, përfaqësues të shkollës, apo edhe nxënës. Takimet mund të jenë virtuale apo përmes vizitave në shkolla. Kështu, nxënësit mund të adresojnë pyetjet shtesë që kanë dhe të mbledhin më shumë informata rreth pranimit në profilin e caktuar, plan programeve, aktiviteteve, etj. Po ashtu nxënësit njoftohen me infrastrukturën e shkollës. Si në aktivitetet paraprake, është e rëndësishme që takimet me përfaqësues të SHML dhe vizitat të organizohen varësisht fokus grupeve. Në këtë mënyrë, nxënësit vizitojnë vetëm profilet për të cilat kanë interes dhe të cilat përputhen me profesionet e tyre të preferuara.

Organizimi në nivel shkolle ndihmon në organizim më efikas. Ngjashëm si tek aktivitetet tjera, nxënësit e klasave të ndryshme bëhen bashkë që të vizitojnë shkollat relevante për ta.

Plotësimi i SWOT Analizës dhe Planit Individual të Zhvillimit (PIZH)

  • Prill, 3 orë mësimore              
  • Doracaku dhe shablloni i SWOT Analizës
  • Doracaku dhe shablloni i PIZH

SWOT Analiza dhe Plani Individual i Zhvillimit janë mjete që ndihmojnë nxënësit në vlerësim, analizim, procesim dhe organizim të informatave. Po ashtu, përmes SWOT analizës dhe PIZH nxënësit zhvillojnë një qasje pro-aktive në vendimmarrje në karrierë, përmes identifikimit të pikave të forta, mundësive për zhvillim, përpilimit të objektivave dhe monitorimit të progresit në arritje të tyre. 

  • Ligjërimi dhe dhënia e instruksioneve për plotësim të SWOT Analizës

SWOT analiza ndihmon nxënësit në identifikim dhe vlerësim të pikave të forta dhe atyre për zhvillim të nxënësve dhe mjedisit të tyre. Ajo mund të përdoret për tipare të personalitetit, profesioneve, profileve të shkollave, etj. Gjatë një ore mësimore, udhëzoni nxënësit të plotësojnë SWOT analizën duke iu shtruar pyetje dhe diskutoni rezultatet dhe hapat e ardhshëm. Prindërit po ashtu mund të plotësojnë SWOT Analizën për fëmijët e tyre dhe të krahasojnë e diskutojnë shënimet.

  • Ligjërimi dhe dhënia e instruksioneve për plotësim të Planit Individual të Zhvillimit

Gjatë një ore mësimore ligjëroni rreth përmbajtjes së PIZH. Udhëzoni nxënësit që të plotësojnë PIZH duke reflektuar mbi, dhe konsultuar, shënimet gjatë gjithë aktiviteteve paraprake. Konkretisht, SWOT Analizën, tiparet e tyre të personalitetit, informatat mbi profesionet dhe vend-punimet si dhe informatat rreth shkollave të mesme. Duke marrë parasysh gjithë këto informata, nxënësit planifikojnë, zbatojnë dhe monitorojnë hapat e tyre të ardhshëm për vendimmarrje në karrierë dhe specifikisht pranimin në shkollën e mesme të lartë adekuate për profesionin e tyre të preferuar. Përcjellni punën e nxënësve në plotësim të PIZH, dhe udhëzoni ata që në vazhdimësi të vazhdojnë të punojnë në të dhe të përcjellin progresin në realizim të objektivave të tyre.

Përfundim

Me realizim të suksesshëm të këtyre aktiviteteve do të kontribuojmë në nivel të nxënësit, shkollës dhe shoqërisë. Zgjedhja e një karriere që i përshtatet individit sjell kënaqësi dhe rrjedhimisht produktivitet në shkollë e në punë. Duke nxitur bashkëpunim me shkolla tjera, biznese, prindër, dhe duke zbatuar aktivitete të reja dhe relevante ndikojmë në rritje të cilësisë së shkollës. Gjersa, duke promovuar mundësi të llojllojshme, si profesionet e ndryshme, shkollat profesionale, trajtojmë ndërlidhjen mes sistemit të arsimit dhe tregut të punës. Karriera mbulon rreth një të tretën e jetës sonë dhe kërkon marrje të disa vendimeve. Le të mbështesim nxënësit në fillimin e marrjes së vendimeve – zgjedhjen e shkollës së mesme të lartë të përshtatshme për ta.

Ekipi i KCDF-së është i gatshëm të ofrojë mbështetje, prandaj ju lutem në rast nevoje mos hezitoni të na kontaktoni! 

Punë të mbarë dhe suksese!