Çfarë është TOEFL dhe si mund të përgatiteni për të?

Ekipi i Busullës

174 artikuj

215 ndjekës

Word toefl words reading listening writing speaking toefl

TOEFL është test i standardizuar për testimin e njohurive të gjuhës angleze. Testi pranohet nga shumë institucione akademike dhe profesionale ku ofrohet studim në gjuhë angleze. TOEFL është një nga dy testet kryesore në gjuhën angleze në botë. Përveç TOEFL, test tjetër i rëndësishëm është edhe IELTS.

Testi zgjatë rreth 3 orë dhe përbëhet nga 4 seksione. Seksionet e këtij testi janë të radhitura në këtë mënyrë: leximi, dëgjimi, të folur dhe shkrim. Këto shkathtësi konsiderohen si të domosdoshme për të pasur sukses në një institucion akademik ku përdoret anglishtja si gjuhë studimi. Gjatë testit, në pjesë të shumta duhet të kombinohen këto shkathtësi për t’iu përgjigjur pyetjeve të parashtruara. Për shembull, në një pjesë të testit do të na duhet të lexojmë, dëgjojmë dhe pastaj të flasim për tu përgjigjur në pyetje.

Seksioni i leximit

Ky seksion vlerëson se sa mirë arrijmë të lexojmë dhe kuptojmë një material që përdoret në mjedise akademike. Seksioni përfshin 3 ose 4 fragmente të shkëputura nga literatura me nga 700 fjalë mesatarisht. Pas leximit të një fragmenti, (në anglisht: passage), shfaqen 10 pyetje të ndërlidhura me të. Pyetjet janë gjithmonë me zgjedhje dhe në asnjë rast nuk do t’iu duhet të shkruani përgjigjen. Nëse testi ka 3 seksione, atëherë ju keni 54 minuta kohë për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve, ndërkaq nëse testi ka 4 seksione, atëherë koha juaj në dispozicion për përgjigje është 72 minuta. Të keni parasysh që gjatë secilit seksion të testit, ju mund të shihni se sa kohë keni për të përfunduar seksionin.

Fragmentet e shkëputura nga literatura mund të jetë të fushave të ndryshme të edukimit dhe zakonisht merren nga pjesa hyrëse / prezantuese e një disipline apo teme. Nuk keni nevojë të shqetësoheni nëse nuk jeni të familjarizuar me temën pasi që çdo informatë që ju nevojitet për t’u përgjigjur mund të gjendet në fragmentin e prezantuar.

Seksioni i dëgjimit

Ky seksion mat shkathtësitë tuaja për të kuptuar leksionet akademike dhe bisedat në gjuhën angleze. Gjatë këtij seksioni, ju keni mundësi të dëgjoni leksione ose biseda.

  • Leksionet: Janë rreth një teme të caktuar akademike. Mund të dëgjoni 3 deri në 4 leksione që zgjasin 3-5 minuta mesatarisht dhe pas secilit leksion që dëgjoni shfaqen 6 pyetje.
  • Bisedat: Kanë të bëjnë me raste rreth universitetit, siç është një bisedë në mes një studenti dhe një bibliotekari apo konsultime në mes një profesori dhe studenti për ndonjë detyrë. Në test keni 2 deri në 3 biseda në total, që zgjasin rreth 3 minuta. Pas secilës bisedë do të shfaqen 5 pyetje rreth asaj çfarë u bisedua.

Gjatë dëgjimit të leksioneve apo bisedave ju mund të merrni shënime dhe më pas t’i përdorni ato shënime për të dhënë  përgjigjen e saktë. Varësisht se sa leksione dhe biseda i keni në test, ju keni kohë nga 41 deri në 57 minuta për të përfunduar këtë seksion.

Informatë: Nëse seksioni e leximit e keni më të gjatë (72 minuta), atëherë seksioni i dëgjimit do të jetë më i shkurtër (pra 41 minuta) dhe anasjelltas. Kjo ndodh për shkak se ETS për çdo test fut pyetje të reja për t’i testuar nëse duhet t’i integrojë zyrtarisht në test. Pyetjet të cilat janë në fazën testuese nuk futen në procesin e vlerësimit përfundimtar, mirëpo ne asnjëherë nuk mund ta dimë cilat pyetje janë në këtë fazë. Prandaj, duhet të mundohemi të përgjigjemi saktë në secilën pyetje të parashtruar.

Seksioni i të folurit

Seksioni i tretë vlerëson aftësinë tuaj për të folur në gjuhën angleze  në një mjedis akademik. I përmban gjithsej 4 detyra në të cilat do të duhet të përgjigjeni me zë. Këto detyra janë të ndara në dy kategori. Në total, ky seksion zgjatë 17 minuta.

Detyra e parë hyn në kategorinë e parë, që quhet ‘’independent speaking task’’. Në këtë detyrë, në monitor ju shfaqet një pyetje dhe kërkohet të shprehni mendimin tuaj personal rreth saj. Pasi që të shfaqet pyetja në monitor, ju do të keni 15 sekonda kohë për të përgatitur përgjigjen tuaj dhe pastaj 45 sekonda për të dhënë përgjigjen.

Ndërkaq, detyrat 2-4 futen në kategorinë e ‘’integrated speaking task’’. Në këto detyra apo pyetje, juve do të ju duhet të kombinoni aftësitë tuaja në gjuhën angleze, ku në disa prej pyetjeve do të lexoni një paragraf dhe pastaj të përgjigjeni rreth tij. Në rastet tjera do ta dëgjoni një bisedë, të lexoni një paragraf rreth bisedës dhe më pas të përgjigjeni. Në këtë pjesë ju do të keni kohë 45 sekonda kohë të përgatitni përgjigjen dhe më pas do të ju kërkohet të përgjigjeni për 60 sekonda.

Edhe në këtë seksion ju do të përgjigjeni në kompjuter përmes kufjeve të cilat ofrohen nga qendra testuese. Në këtë seksion ju duhet të jeni të përqendruar mirë pasi që edhe kandidatët tjerë do të përgjigjen në të njëjtën kohë me ju, gjë kjo që mund të ju shpërqendrojë dhe ngatërrojë mendimet e juaja.

Seksioni i të shkruarit

Seksioni i fundit i testit TOEFL është të shkruarit. Në këtë seksion do të kërkohet nga ju të shkruani dy ese. Në përgjithësi, ky seksion zgjatë 50 minuta.

Eseja e parë është ese e integruar. Fillimisht do të lexoni një pjesë të shkurtër rreth një teme të caktuar dhe pastaj të dëgjoni një leksion rreth asaj teme. Më pas do të keni 20 minuta kohë të bëni një përmbledhje të asaj çka keni lexuar dhe dëgjuar. Gjatë kohës që ju e lexoni paragrafin dhe e dëgjoni leksioni, ju mund të merrni shënime që ta keni më të lehtë t’i formuloni mendimet gjatë shkrimit të esesë. Po ashtu, gjatë kohës që shkruani esenë, në anën e majtë të kompjuterit ju do të keni mundësi të lexoni prapë paragrafin paraprak, ndërkaq leksionin do të mund ta dëgjoni vetëm një herë. Për këtë arsye pjesës së leksionit duhet t’i kushtoni më shumë vëmendje, që t’i merrni informatat kryesore. Zakonisht kjo ese është e ndërtuar në këtë format: paragrafi flet për një temë të caktuar dhe përkrahë ose nuk përkrahë atë, ndërkaq leksioni në të shumtën e rasteve kundërshton atë çka shkruhet në paragraf. Në raste të rralla ndodh që leksioni të përkrahë atë që është thënë në paragraf.

Në pjesën e fundit të këtij seksioni dhe testit në përgjithësi, nga ju kërkohet të shkruani edhe një ese të pavarur. Pra, para jush do të shfaqet një pyetje dhe juve do të ju duhet që përmes esesë të shprehni mendimin apo eksperiencën tuaj rreth asaj çështje. Ju do të keni kohë 30 minuta kohë për të përfunduar këtë ese. Vlerësimi i eseve bëhet me anë të inteligjencës artificiale dhe vlerësuesve të certifikuar për të siguruar që vlerësimi është i drejtë.

Në fund të testit ju shfaqen rezultatet preliminare për dy seksionet e para. Në të shumtën e rasteve këto pikë do të shfaqen edhe në pikët zyrtare, me përjashtime të rralla. Zakonisht, rezultati i plotë dhe final është gati brenda 6-10 ditëve pasi të keni përfunduar testin. Në rast që nuk jeni të kënaqur me rezultatin e arritur, ju mund të ri-testoheni. Ri-testimi mund të bëhet kur të kalojnë të paktën 12 ditë nga testimi i fundit. Momentalisht, çmimi i testit TOEFL në Kosovë është $190 (me kursin e këmbimit aktual përkthehet në 156€).

Për informata më te detajuara rreth testit, shembuj të pyetjeve për secilin seksion, mënyrën se si mund të rezervoni një datë për testim dhe informata të tjera, ju mund të vizitoni faqen zyrtare të ETS: https://www.ets.org/toefl/test-takers/ibt/about/.

Gjithashtu, me një kërkim të thjeshtë në Google apo YouTube, ju do të gjeni burime të shumta nga ku mund të mësoni më shumë rreth testit dhe t’iu nënshtroheni testeve provuese. Ushtrimi paraprak është shume i rëndësishëm , sepse iu ndihmon të ndiheni më të sigurt me formatin e testit dhe të menaxhoni kohën tuaj.

Disa nga burimet nga ku mund të informoheni më detajisht për secilin seksion të TOEFL dhe të kryeni teste provuese, janë:

https://www.youtube.com/channel/UCpi4cyj1hTscwo0XRDqlSsA

https://www.youtube.com/channel/UCL0ZOT3eKp4RvKcQyBZJ4bw

https://www.youtube.com/user/MagooshTOEFL

https://www.youtube.com/channel/UCAQg09FkoobmLquNNoO4ulg

https://www.ets.org/toefl/test-takers/ibt/prepare/tests

https://tstprep.com/

https://www.toeflresources.com/

https://www.toeflbank.com/en


Referenca:

https://www.ets.org/toefl/test-takers/ibt/about/content/

Shkarko PDF