Programi i shkëmbimeve të studentëve ‘’Erasmus+ International’’

Ekipi i Busullës

184 artikuj

236 ndjekës

Eu flag erasmus vect pos

Programi Erasmus+ International është një projekt i financuar nga Unioni Evropian. Fatmirësisht ky program ofrohet edhe për studentët kosovar që janë të regjistruan në ndonjë nga universitetet publike apo private të cilat kanë marrëveshje bashkëpunimi me Erasmus+. Me anë të këtij programi, studentët e ciklit Bachelor, Master apo edhe PhD mund të përfitojnë bursa, të cilat u mundësojnë atyre të kryejnë shkëmbime në ndonjë nga universitetet evropiane.

Periudha e shkëmbimit mund të zgjasë maksimumi një vit, për një cikël studimi. Kjo do të thotë që një student i ciklit Bachelor mund të aplikojë për të përfituar bursë shkëmbimi në një universitet të caktuar evropian. Në rast që ai student bëhet fitues i bursës, mund të shkojë në atë universitet për një semestër me mundësi vazhdimi edhe për një semestër tjetër. Mundësia tjetër është që studenti pas një semestri të kaluar jashtë vendit, të kthehet në Kosovë dhe të aplikojë përsëri në ndonjë universitet tjetër.  Më pas, nëse ky student i vazhdon edhe studimet master, ai ka të drejtë përsëri të aplikojë për një bursë nga Erasmus+, bursë kjo që mund të zgjasë përsëri deri në një vit.

Një nga kriteret thelbësore për të fituar këtë bursë është që duhet të keni të përfunduar vitin e parë të studimeve pa marrë parasysh cilin cikël të studimeve ndiqni. Programi që dëshironi të studioni duhet të jetë i ngjashëm me programin që jeni duke studiuar në Kosovë dhe universiteti duhet të ketë marrëveshje me universitetit që dëshironi të shkoni për shkëmbim. Kërkesat tjera, të tilla si: nota mesatare, njohja e gjuhës në të cilën do të studioni, transkripta e notave, CV, letra e motivimit apo kërkesa tjera, përcaktohen në bashkëpunim me universitetin.

Në të shumtën e rasteve, gjatë aplikimit apo pasi që të fitoni bursën, nga ju kërkohet që të nënshkruani një dokument të quajtur ‘’Learning Agreement’’ ku specifikohen lëndët që do të merrni pjesë gjatë shkëmbimit dhe cilat nga këto lëndë kur të ktheheni në Kosovë do të ju pranohen për t’i transferuar. Ky dokument plotësohet dhe nënshkruhet nga ju, universiteti juaj dhe universiteti nikoqir, në tri periudha kohore. Learning Agreement plotësohet gjatë procesit të aplikimit, pasi që të filloni shkëmbimin dhe pasi që ta përfundoni atë. Ky dokument është shumë i dobishëm për shkak se qartazi specifikohen lëndë që do t’i vijoni gjatë shkëmbimit, të cilat mund të transferohen në universitetit tuaj. Informata të detajuara rreth këtij dokumenti mund të njoftoheni në këtë link: https://eacea.ec.europa.eu/sites/eacea-site/files/05he-learning_agreement_for_studies_guidelines_0.pdf

Sa i përket ndihmës financiare / bursës, ky program ofron kushte të mira të kompensimit, të cilat mundësojnë jetesën jashtë vendit pa pasur nevojë për të investuar nga buxheti personal. Kompensimi monetar është i përshtatur për numrin e muajve që studenti qëndron në programin e shkëmbimit, prandaj nuk ka ndonjë vlerë të paracaktuar për këtë qëllim. Përveç përfitimeve mujore, Unioni Evropian i mbulon edhe kostot e udhëtimit varësisht nga  vendi i destinacionit. Ndërkaq, kostot e sigurimit shëndetësor dhe procesit të vizës në të shumtën e rasteve duhet t’i mbuloni personalisht. Të keni parasysh që shpeshherë ambasadat kanë marrëveshje bashkëpunimi me programin Erasmus+ dhe procesi i pajisjes me vizë është pa pagesë.

Në fund por jo më pak e rëndësishme, është procesi i aplikimit. Për të mësuar si fillim nëse universiteti / kolegji juaj ka marrëveshje bashkëpunimi me programin Erasmus+ duhet të hyni në faqen zyrtare të universitetit / kolegjit dhe të gjeni informata rreth programit Erasmus+. Po ashtu, ju mund të shkoni direkt në zyrën për marrëdhënie me jashtë në universitetin tuaj dhe të merrni informata të sakta për mundësitë e shkëmbimit. Aty ju mund të informoheni nëse kemi mundësi aplikimi për këtë program dhe nëse po, në cilat universitet mund të aplikoni. Më pas mund të merrni informata për afatet e aplikimit. Zakonisht afatet e aplikimit janë të hapura disa muaj para fillimit të semestrit veror ose dimëror dhe afatet ndryshojë varësisht nga universiteti. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të kontakti me personin përgjegjës në universitetin / kolegjin përkatës, për të marrë informata të sakta për procesin e aplikimit.

Referenca: https://ec.europa.eu/programmes/erasmus-plus/opportunities/individuals/students/studying-abroad_en

Shkarko PDF