Teknika pomodoro si zgjidhje e problemeve të përqendrimit dhe rritjes së produktivitetit gjatë studimit dhe punës

Ekipi i Busullës

184 artikuj

242 ndjekës

Pomodoro

Teknika Pomodoro është një metodë e njohur e menaxhimit të kohës, e cila na ndihmon të kryejmë më shumë punë, në më pak kohë. Kjo teknikë është shumë e dobishme, sidomos për ata të cilët kanë tendencë të shpërqendrohen nga faktorë të jashtëm. Si teknikë, ajo është mjaft e thjeshtë:

  • Përcaktoni se çfarë detyre dëshironi të kryeni apo çfarë dëshironi të studioni (p.sh. një kapitull të librit).
  • Vendoseni kohëmatësin tuaj për 25 minuta dhe filloni punën.
  • Kur koha juaj të përfundoj, merrni një pushim prej 5 minutave.
  • Përsëriteni këtë sesion edhe tre herë të tjera.
  • Pas 4 sesioneve, merrni një pushim më të gjatë, rreth 10-30 minuta.
  • Më pas mund të filloni edhe me 4 sesione të tjera para se të merrni përsëri një pushim më të gjatë.
  • Për të mbajtur në mend se në cilin sesion jeni, mund të bëni një listë. Në këtë listë pas çdo sesioni mund të vendosni një shenjë për të dëshmuar përfundimin e sesionit.

Kjo teknikë është përdorur së pari nga italiani Francesco Cirillo, gjatë kohës sa ai ishte ende në studime. Ai e quajti këtë mënyrë të punës ‘’Pomodoro’’ për shkak se kohëmatësi i tij ishte në formë të domates (italisht – pomodoro). Për këtë arsye kjo teknikë mban këtë emër.

Përmes kësaj teknike, ne arrijmë të trajnojmë trurin tonë të jemi më efikas në intervale me të shkurtra kohore, të pasuara me një pushim 5-minutësh. Ky pushim na ndihmon të mos ndihemi të lodhur dhe pa energji. Në këtë mënyrë ne rrisim produktivitetin tonë duke u munduar të përfundojmë sa më shumë punë, në ato 25 minuta dhe duke mos i përfillur shpërqendruesit e mundshëm. Nëse përdoret vazhdimisht, kjo teknikë mund të rrisë kohën e përqendrimit. Teknika Pomodoro është zgjedhje shumë e mirë edhe për ata persona të cilët dëshirojnë të dinë se sa kohë merr përfundimi i një detyre, leximi i një kapitulli të librit apo shkrimi i një eseje.

Natyrisht që gjatë punës apo studimit ju mund të hasni me shpërqendrues të tillë si kolegët, familjarët apo ndonjë urgjencë. Në këtë rast, ekzistojnë dy mënyra përmes të cilave mund t‘iu qasemi këtyre shpërqendruesve. Në rast që shpërqendrimi kërkon një vëmendje të menjëhershme, atëherë duhet të mbyllim sesionin menjëherë dhe kur të jemi të gatshëm përsëri, duhet të fillojmë me një sesion të ri. Në të kundërtën, nëse është diçka e cila mund të presë, atëherë zgjidhja më e mirë është që ta njoftojmë personin në fjalë që ju do të jeni të gatshëm për të biseduar pas një kohe të caktuar (p.sh. nëse sesioni aktual përfundon pas 12 minutave, atëherë mund ta lajmëroni që do të jeni të lirë pas 12 minutave).

Kjo teknikë mund të modifikohet sipas nevojave dhe dëshirave tuaja. Për shembull, nëse mendoni që 25 minuta janë shumë për të punuar pa ndalur, atëherë ju mund të bëni një sesion prej 15 minutave e pastaj kur jeni të gatshëm, mund të rrisni minutazhën e sesionit. E njëjta vlen edhe për ata persona që mendojnë që sesioni duhet të jetë më i gjatë se 25 minuta. Në këtë rast, sesioni mund të modifikohet për preferencat e tyre. Në fund të fundit, kjo teknikë ka për qëllim rritjen e produktivitetit dhe zvogëlimin e shpërqendrimit. Prandaj, përdoreni cilindo kombinim që funksionon më së miri për ju.

Punë dhe studime të mbara 😊

Referencat:

Collins, B., (2020). The Pomodoro Technique Explained. Retrieved January 13, 2021, from https://www.forbes.com/sites/bryancollinseurope/2020/03/03/the-pomodoro-technique/?sh=2ba7d31a3985

Henry, A., (2019). Productivity 101: An Introduction to The Pomodoro Technique. Retrieved January 13, 2021, from https://lifehacker.com/productivity-101-a-primer-to-the-pomodoro-technique-1598992730

Shkarko PDF