Programi i bursave të studimit në Turqi

Ekipi i Busullës

184 artikuj

242 ndjekës

1

Bursat e Turqisë është program bursash konkurruese i financuar nga Qeveria, të cilat iu ofrohen studentëve dhe hulumtuesve ndërkombëtarë për të vijuar studimet dhe hulumtimet e tyre me program të plotë apo të pjesshëm në universitetet më prestigjioze të Turqisë.

Bursat janë të disponueshme për studentë të nivelit Bachelor, Master dhe Doktoratë. Për më tepër, ofrohen edhe programe të bursave me afat të shkurtër, si bursat e suksesit, bursat për hulumtime si dhe programe të gjuhës turke për zyrtarë publik dhe akademikë.

Programet dhe nivelet e studimit

->Programi i bursave universitare

Programi i Bursave universitare është krijuar posaçërisht për studentët e nivelit Bachelor. Aplikantët e interesuar në fusha të caktuara studimi si inxhinieri, shkenca shëndetësore, shkenca humane e shkenca shoqërore, mund të aplikojnë për këtë program.

->Programi i bursave pasuniversitare

Një gamë e gjerë e programeve në shkenca shoqërore dhe humane, shkenca natyrore dhe inxhinieri për aplikantët e interesuar për studime në nivelet Master dhe PhD ofrohen në universitetet prestigjioze të Turqisë.

Përmes një aplikimi të vetëm, në programet universitare dhe pasuniversitare, studentëve u ofrohet mundësia të aplikojnë njëkohësisht për pranim në universitet dhe bursë. Për t’u informuar rreth departamenteve dhe universiteteve, vizitoni faqen e programit në link-un në vijim: https://www.turkiyeburslari.gov.tr/en/announcement/turkiye-scholarships-2021-applications

Programet e tjera

Programi i bursave të suksesit është krijuar posaçërisht për studentët të cilët aktualisht po studiojnë në universitetet turke me mjete të tyre financiare dhe kanë treguar performancë të jashtëzakonshme në studime. Ky program mbulon vetëm pagesë mujore për ata studentë të suksesshëm.

Një tjetër program është programi i bursave kërkimore i krijuar për të inkurajuar studiuesit dhe akademikët ndërkombëtarë për të kryer studime kërkimore në fushat e tyre në bashkëpunim me akademikë turk në universitetet e Turqisë. Programi është i disponueshëm për doktorantë dhe për kandidatët të cilët janë në fazën e tezës.

Për më tepër, ofrohet edhe programi i gjuhës turke (KATİP) për zyrtarë të huaj publik, diplomatë, akademikë dhe studiues që dëshirojnë të mësojnë gjuhën turke dhe të njihen më shumë me Turqinë.

Këto programe kanë afate të ndryshme të aplikimit të cilat do të publikohen në ueb faqen e programit. Për më tepër informata, në vijim është link-u i ueb faqes: TURKİYE SCHOLARSHIPS (turkiyeburslari.gov.tr)

Kriteret për aplikim

Bursat e Turqisë janë të disponueshme për qytetarët e të gjitha shteteve.

Niveli minimal i arritjeve akademike që kërkohen janë si në vijim:

  • Aplikantët për nivelin Bachelor: 70%
  • Aplikantët për Shkencat e shëndetit (Mjekësi, Stomatologji dhe Farmaci): 90%
  • Aplikantët për nivelin Master dhe PhD: 75%

Mosha minimale për aplikim:

  • Nën moshën 21 vjeçare për programet Bachelor
  • Nën moshën 30 vjeçare për programet Master
  • Nën moshën 35 vjeçare për programet PhD
  • Nën moshën 45 vjeçare për programet e hulumtimit

Dokumentet e nevojshme

Të gjithë kandidatët duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme gjatë aplikimit:

  • Letërnjoftimin apo pasaportën valide
  • Një foto e aplikantit e bërë së fundmi
  • Rezultatet e testit shtetëror (nëse ka)
  • Diploma ose certifikata e përkohshme e diplomimit
  • Transkriptat akademike
  • Rezultatet e testeve ndërkombëtare (GRE, GMAT etj. nëse kërkohet nga programi i zgjedhur)
  • Rezultatet e testit të gjuhës (nëse kërkohet nga programi i zgjedhur)
  • Një propozim hulumtimi dhe një shembull i punës së bërë në hulumtime ( vetëm për aplikantët e doktoraturës).

Aplikimet për Bursat e Turqisë vlerësohen në bazë të suksesit akademik, aktiviteteve jashtëshkollore dhe dokumenteve të tjera profesionale të aplikantit.

Afati për aplikim dhe link-u

Afati për aplikim për studentë të nivelit Bachelor, Master dhe Doktoratë është i hapur nga data 10 Janar – 20 Shkurt 2021. Aplikimet për Bursat e Turqisë do të pranohen vetëm nëpërmjet faqes zyrtare të Internetit të programit të Bursave të Turqisë. Mund të aplikohet në 8 gjuhë: turqisht, arabisht, anglisht, frëngjisht, rusisht, boshnjakisht, persisht dhe spanjisht. Për të aplikuar klikoni në link-un: http://www.turkiyescholarships.gov.tr/

Referenca: https://www.turkiyeburslari.gov.tr/en/announcement/turkiye-scholarships-2021-applications

Shkarko PDF