Si të aplikoni për bursë në programin ‘’Young Cell Scheme’’?
174 artikuj
215 ndjekës
Postuar: 20 Dhjetor 2018

Qëllimi kryesor i programit të bursave ‘’Young Cell Scheme’’ (YCS) është që të kontribuojë në ndërtimin dhe funksionalizimin e një klase të shërbyesve civil apolitik dhe profesional në të gjitha nivelet e institucioneve në Kosovë. Administrata publike e Kosovës, përmes këtij programi të veçantë bursash, synon përmirësimin e kapaciteteve profesionale të nëpunësve civil për t'i shërbyer më mirë qytetarëve të Kosovës dhe për të përballuar sfidat dhe detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Ky program synon të forcojë administratën publike të Kosovës duke siguruar që boshllëqet administrative në qeverinë e Kosovës, janë adresuar duke ofruar mundësi të specializuara të arsimit të lartë për të rinjtë e Kosovës në vendet e BE-së. Pas përfundimit të studimeve të tyre në universitetet e vendeve të ndryshme të BE-së, studentët integrohen brenda strukturave qeveritare, në bazë të arsimimit të tyre, dhe me qëllim të ndërtimit të një sistemi modern të administratës publike që plotëson kërkesat e proceseve të integrimit në BE.
Fituesit e bursave të këtij programi do të kenë mundësi shkollimi në të gjitha universitetet e Evropës, mirëpo duhet të ju përmbahen limiteve buxhetore në përzgjedhjen e programit sikurse është cekur në doracakun e rregullave, i cili është i qasshëm online përmes link-ut në vijim:
https://ycskosovo.eu/wp-content/uploads/2018/01/YCS_RXI_Rules-of-Procedure_2018.pdf
Të përzgjedhurit, përveç bursës së plotë për studime universitare do të përfitojnë edhe një pagesë mujore (12 muaj) gjatë studimeve, varësisht prej lokacionit. Mesatarisht shuma mujore e këtyre pagesave është 1400 euro, ndërsa të gjitha shpenzimet tjera mbulohen nga programi (p.sh. udhëtimi, viza, aplikacioni, testet e standardizuara etj.)
Përzgjedhja e kandidatëve bëhet në tri faza.
- Faza teknike;
- Testi me shkrim;
- Intervista dhe prezantimi.
Faza teknike
Në këtë fazë kontrollohen vetëm dokumentet e dorëzuara paraprakisht për aplikim. Aplikantët do të verifikohen për njohuritë e tyre në gjuhën angleze, nëse janë në përfundim e sipër të nivelit Bachelor të studimeve si dhe rezultatet e tyre akademike.
Dokumentet e nevojshme për këtë fazë janë:
- Aplikacioni i plotësuar në gjuhën angleze;
- Një letër motivimi;
- CV- Formati Europass;
- Kopje të dokumenteve identifikuese (pasaporta ose letërnjoftimi);
- Diploma e fakultetit ose transkripti i notave.
Pas publikimit të rezultateve të para, kandidatët ftohen për fazën e dytë përzgjedhëse që është ‘’Testi me shkrim’’.
Testi me shkrim
Kandidatët iu nënshtrohen tri testeve me shkrim në gjuhën angleze e që janë:
- Të dëgjuarit;
- Të lexuarit;
- Gramatika.
Testi i gjuhës angleze nuk përfshihet në përzgjedhjen finale, mirëpo është e nevojshme të kalohet minimumi prej 65% që kandidatët të merren parasysh për përzgjedhje.
- Detyra logjike me numra dhe fjali;
- Detyra logjike me numra,
- Detyra logjike me fjali.
Testi i detyrave logjike me numra dhe fjali përbëhet nga 40 pyetje dhe përbën 30% të pikëve të përgjithshme për vendimin final.
- Njohuri të përgjithshme rreth Evropës
YSC ofron një doracak që ofron informatat e nevojshme për këtë test. Doracakun mund ta gjeni në ueb faqen e tyre https://ycskosovo.eu/. Kjo kategori përmban 80 pyetje dhe testi vlerësohet me 20% të pikëve përfundimtare.
Vetëm një grup i caktuar i kandidatëve ftohet për fazën përfundimtare që është intervista dhe prezantimi.
Intervista dhe prezantimi
Në këtë fazë, kandidatët vlerësohen në bazë të tri kategorive në vijim:
- Prezantimi
Kandidatët duhet të prezantojnë një nga temat relevante të fushës që planifikojnë të studiojnë. Prezantimi nuk zgjat më shume se 5-6 minuta dhe vlerësohet me 20% të pikëve përfundimtare.
- Intervista
Pyetjet e intervistës kanë të bëjnë me prezantimin, fushën e studimit dhe motivimin e kandidatëve për të kontribuar si shërbyes civil në institucionet e Kosovës. Kjo fazë vlerësohet me 20% të pikëve përfundimtare.
- CV dhe letra e motivimit
Letra e motivimit si dhe CV-ja vlerësohen para intervistës si dhe kanë 10% të pikëve përfundimtare. Informatat e CV-së dhe letrës së motivimit mund të jenë edhe njëra nga temat për diskutim gjatë intervistës.
Për informata më të hollësishme lidhur me procesin e aplikimit dhe përzgjedhjes, ju lutem vizitoni faqen zyrtare të Young Cell Scheme https://ycskosovo.eu/
Aplikimi i radhës pritet të mbahet në fund të vitit 2018!
Referencat:
Shkarko PDF