Shkathtësitë e transferueshme dhe rëndësia e tyre

Ekipi i Busullës

153 artikuj

125 ndjekës

13. skills

    Shkathtësitë e transferueshme janë grup i veçantë i shkathtësive, të cilat nuk i përkasin një fushe specifike. Ato janë shkathtësi të përgjithshme që transferohen në punë dhe jetë të përditshme. Nëse jeni në mëdyshje ta lini punën tuaj, por keni frikë që shkathtësitë që i keni mësuar deri tani në punë do t’iu shkojnë dëm dhe do t’iu duhet të filloni nga e para të mësoni shkathtësi të reja në punën e ardhshme, kjo nuk duhet t’iu shqetësoj sepse shkathtësitë e transferueshme ‘’udhëtojnë’’ me ju çdo herë.

    Shkathtësitë e transferueshme i kemi të gjithë, ato mund t’i keni fituar përmes punës, shkollës, praktikës, trajnimeve formale dhe jo formale, punës vullnetare etj. Këto shkathtësi janë baza e gjithë suksesit profesional që do ta keni në karrierë dhe do t’iu ndjekin në çdo ndryshim eventual të karrierës.

    Është e rëndësishme të dini se cilat shkathtësi i keni dhe të jepni shembuj për ato që i keni fituar deri më tani. Kjo ju ndihmon shumë kur aplikoni për ndonjë pozitë të re, që ta bindni punëdhënësin që ju jeni kandidati i duhur për pozitën përkatëse. Për shembull, aftësitë komunikuese, zgjidhja e problemeve, puna në grup, të gjitha këto janë shkathtësi të transferueshme sepse mund të përdoren në çdo lloj të punës, në situata të ndryshme dhe janë shkathtësi që çdo punëdhënës i kërkon te një punëtor.

Dobitë që sjellin shkathtësitë e transferueshme për një punëtor dhe punëdhënës janë:

  • Fleksibiliteti

    Në një treg të punës gjithnjë e më konkurrues, kompanitë janë në kërkim të punëtorëve që ofrojnë diversitet dhe janë të aftë të kryejnë detyra në pozita të ndryshme.

  • Diversiteti

    Sa më shumë shkathtësi të transferueshme që keni, aq më shumë diversitet mund t’i ofroni punëdhënësit. Përvoja që keni pasur gjatë studimeve, punës, dhe projekteve akademike ju ndihmon të zhvilloni shumë shkathtësi të cilat mund t’i përdorni për çdo pozitë që aplikoni.

  • Përshtatshmëria

    Natyra e shkathtësive të transferueshme nënkupton që ju asnjëherë nuk i humbni ato, mund t’i keni gjithnjë me vete në çdo punë. Këto shkathtësi me kohë do të përmirësohen dhe njëkohësisht do të fitoni edhe shkathtësi të reja.

  • Punësimi

    Nëse nuk keni shumë përvojë pune, por duke shkruar një CV të mirë dhe duke i theksuar shkathtësitë e transferueshme që i posedoni, mundësitë për të pasur sukses janë të mëdha. Megjithëse përvoja e punës mund t’iu mungojë, shkathtësitë e transferueshme tregojnë që ju mund të përshtateni me çdo kërkesë dhe nevojë të re.

    Shkathtësitë e transferueshme mund t’i ndajmë në shumë kategori, por shtatë kategoritë në vijim janë një përmbledhje e përgjithshme:

  • Shkathtësitë teknike

    Njëra nga shkathtësitë teknike thelbësore është sa të aftë jeni në teknologji. Edhe nëse ju nuk punoni në një fushë që ka lidhje me teknologjinë, nëse keni aftësi në këtë fushë do të keni më shumë përparësi në ngritjen tuaj personale.

  • Shkathtësitë komunikuese

    Çdo punë profesionale kërkon punëtor që kanë shkathtësi të mira komunikuese, në të kundërtën suksesi dhe ngritja në pozitë janë të pamundura. Të kesh shkathtësi komunikuese nuk do të thotë vetëm të dish të dëgjosh dhe të flasësh. Në botën profesionale kur flasim për shkathtësi komunikuese e kemi fjalën për:

      Shkathtësi në të folur: Çfarë thoni dhe mënyra se si e thoni.

    Shkathtësi të dëgjimit: Dëgjoni për të kuptuar çfarë po thotë bashkëbiseduesi, mos dëgjoni vetëm për ta pritur radhën kur do të flisni ju.

    Shkathtësi në të shkruar: Shkrimi i qartë komunikues është thelbësor për një karrierë të suksesshme. Kjo u jep njerëzve një përshtypje se kush jeni ju.

    Shkathtësi komunikuese përmes teknologjisë: Kjo shkathtësi ju ndihmon të zgjedhni mediumin e duhur për ta përcjellë mesazhin te dëgjuesit tuaj.

  • Shkathtësitë e të menduarit kritik

    Mendimi kritik është mënyra më e mirë si t’i qaseni një problemi dhe të arrini deri te zgjidhja e tij. Kjo ju ndihmon njerëzve të suksesshëm të definojnë sfidën me të cilën janë përballur dhe të gjejnë zgjidhjet për atë problem në mënyrë logjike. Pastaj me anë të një vlerësimi, duke shqyrtuar problemin, duke bërë pyetje kritike, duke marrë parasysh faktorët që ndikojnë në zgjidhje të mundshme, vendosin cila është alternativa më e mirë për zgjidhjen e atij problemi.

  • Shkathtësitë për të menaxhuar kohën

    Menaxhimi i kohës ju ndihmon të organizoni dhe planifikoni kohën tuaj. Kjo tregon që ju mund të jeni produktiv brenda pak kohësh dhe të mësoheni të punoni nën presion.

    Që të keni sukses në menaxhimin e kohës tuaj, gjithmonë duhet t’i bëni prioritet gjërat që kanë më shumë rëndësi, si p.sh. kur keni afatin e fundit për të dorëzuar ndonjë detyrë të caktuar.

  • Shkathtësitë e punës në grup

    Në shumë vende të punës do t’iu duhet të punoni si pjesë e grupit. Duke treguar që ju e keni këtë shkathtësi do ta siguroni punëdhënësin tuaj që jeni i duhuri për atë pozitë.

    Kjo shkathtësi është shumë e rëndësishme nëse synimi juaj është të bëheni udhëheqës, sepse të gjithë udhëheqësit e suksesshëm e kuptojnë dinamikën e punës në grup. Kështu që, nëse doni të jeni një udhëheqës, fillimisht mësohuni të bëheni pjesë e grupit.

  • Shkathtësitë kreative

    Kreativiteti është aftësia për t’i zhvilluar në mënyrë strategjike idetë që i kemi ne ose dikush tjetër. Një person konsiderohet kreativ, nëse idetë e tij sjellin rezultate të kënaqshme. Kreativiteti gjithashtu kërkon që ju t’i përdorni të gjitha ato shkathtësi të transferueshme që i keni për ta sjellë një ide në jetë.

  • Shkathtësitë e lidershipit/udhëheqësisë

    Udhëheqësia është njëra prej shkathtësive të transferueshme më komplekse që ju duhet ta zhvilloni për të pasur sukses në karrierë. Është shkrirje e të gjitha shkathtësive të transferueshme që i keni mësuar deri me tani. Këtu përfshihen puna në grup, mendimi kritik, kreativiteti, komunikimi etj.

Vlen të citohet motoja: Udhëheqës nuk lindim, por mund të bëhemi!

Referencat:

https://www.reed.co.uk/career-advice/what-are-transferable-skills/

https://www.skillsyouneed.com/general/transferable-skills.html

https://www.forbes.com/sites/nextavenue/2018/02/09/the-7-transferable-skills-to-help-you-change-careers/#229e87f44c04

https://www.thebalancecareers.com/transferable-skills-list-525490

https://www.wikijob.co.uk/content/interview-advice/competencies/transferable-skills

Ndrysho fjalëkalimin

Password c1c080deb443f2949c8d26a914258320a0d5d8d215495b0a334288ca10721db0

Ju lutem, ndërroni fjalëkalimin për të qenë
Busulla juaj më e sigurtë.

Fjalekalimi nuk pershtatet