Ngacmimi kibernetik

Ekipi i Busullës

243 artikuj

Bullizmi

    Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë me të gjitha aspektet pozitive që ka po shërben si mjet mjaft i rëndësishëm dhe efektiv për zhvillimin personal dhe akademik të fëmijëve. Prandaj, është rritur dukshëm qasja e fëmijëve në internet. Por, me rritjen e qasjes në internet po rritet edhe ekspozimi i fëmijëve ndaj rreziqeve të ndryshme siç është ngacmimi kibernetik. Ngacmimi kibernetik definohet si përdorim i përsëritur dhe i qëllimshëm i mjeteve elektronike për të kërcënuar, turpëruar, poshtëruar një apo më shumë persona. Kjo mund të ndodh edhe aksidentalisht për shkak të natyrës së komunikimit online pasi që është e vështirë të përcaktohet toni i dërguesit përmes mesazheve dhe shakaja mund të kthehet në një ofendim mjaft të rëndë. Por, dërgimi i përsëritur i ofendimeve, ngacmimeve e kërcënimeve shpeshherë është i qëllimshëm.

Metodat dhe format e ngacmimit kibernetik

    Ngacmimi kibernetik ushtrohet në të gjitha grup moshat, por pasi që fëmijët janë më të ndjeshëm se të rriturit, ata mund të pësojnë më shumë nga kjo dukuri. Studimi i realizuar nga ''Qendra Fit'' në vitin 2016 tregon se 30% të fëmijëve 13-16 vjeç janë përgjigjur se kanë qenë viktimë e ngacmimit kibernetik. Njerëzit përdorin teknologji dhe metoda të ndryshme për të ushtruar ngacmimin kibernetik siç janë: telefonatat, mesazhet përmes telefonit, rrjetet sociale, email-at, fotografitë digjitale etj. Sipas studimit të lartpërmendur, 61% të fëmijëve kanë treguar se kanë qenë viktimë e ngacmimit kibernetik nëpërmjet rrjeteve sociale.

    Disa nga format më të shpeshta të ngacmimit kibernetik janë:

  • Postimi apo dërgimi i thashethemeve te viktima apo te shokët;
  • Dërgimi i emailave kërcënuese;
  • Vënia e nofkave apo pseudonimeve me qëllim të fyerjeve përmes mesazheve, postimit në rrjetet sociale etj.;
  • Postimi i sekreteve të dikujt në rrjetet sociale;
  • Postimi apo dërgimi i fotografive personale pa lejen e personit (zakonisht fotografitë janë intime apo turpëruese etj).

    Mungesa e mbikëqyrjes së rrjeteve sociale nga prindërit, mësuesit apo autoritetet shtetërore, iu mundëson ngacmuesve t’i kontaktojnë viktimat e tyre më lehtë dhe më shpesh.

Pasojat e ngacmimit kibernetik

    Viktimat e ngacmimit kibernetik pësojnë të njëjtat efekte negative sikurse ngacmimi që ndodh në jetën e përditshme. Por, efektet e këtij ngacmimi janë më të mëdha pasi që mesazhet mund të behën publike dhe të shihen nga shumë përdorues të këtyre rrjeteve dhe mediave sociale. Viktimat nga ky lloj ngacmimi përjetojnë probleme mendore dhe fizike dhe probleme në performancën e tyre akademike. Ata ndjejnë nivele më të larta të ankthit dhe depresionit, frikë, probleme me vetëbesim, shëndet të dobët fizik etj. Një ndër problemet kryesore të ngacmimit kibernetik është se e rrit rrezikun për vetëvrasje, pasi që fëmijët që vazhdimisht ngacmohen e poshtërohen, shpesh ndihen të pashpresë, të vetmuar e të pafuqishëm.

Parandalimi i ngacmimit kibernetik

    Janë disa hapa që mund të ndërmerren për të parandaluar ngacmimin kibernetik:

  • Mos i tregoni askujt, përveç prindërve, fjalëkalimet tuaja;
  • Mos i bëni publike llogaritë e rrjeteve sociale;
  • Mos i dërgoni askujt fotografi intime/personale;
  • Mos iu përgjigj ngacmuesëve;
  • Mos i lexoni mesazhet dhe mos komunikoni me këta ngacmues;
  • Ruani dëshmitë lidhur më ngacmimin kibernetik;
  • Tregoni prindërve tuaj nëse bëheni viktimë e ngacmimit kibernetik.

Referencat:

https://fit-ks.org/wp-content/uploads/2017/08/Raporti-Siguria-e-f%C3%ABmij%C3%ABve-n%C3%AB-Internet-2016-2.pdf

https://fit-ks.org/wp-content/uploads/2015/02/Broshura-per-sajberdhuna.pdf

https://www.verywellfamily.com/what-are-the-effects-of-cyberbullying-460558



Ndrysho fjalëkalimin

Password c1c080deb443f2949c8d26a914258320a0d5d8d215495b0a334288ca10721db0

Ju lutem, ndërroni fjalëkalimin për të qenë
Busulla juaj më e sigurtë.

Fjalekalimi nuk pershtatet